Profil | Kush është Bahrije Hyseni kandidatja e LDK-së me numrin 99?

Bahrije Musa Hajdari është e lindur në Ferizaj, më 24 janar 1966. Shkollën fillore dhe atë të mesme ekonomike, drejtimi komercial, i ka përfunduar në Ferizaj, ndërsa në Prishtinë u diplomua në shkenca ekonomike.
Aktivitetet e saj politike, në mbrojtjen e të drejtave thelbësore dhe kundër padrejtësive të asaj kohe, znj. Bahrije i filloi qysh në kohën e shkollës së mesme, në moshë shumë të re. Si 16 vjeçare, në vitin 1982, u bë pjesë e demonstratave, për të mos e ndalur asnjëherë më shprehjen e pakënaqësisë së saj dhe mbarë popullit, kundrejt regjimit të atëhershëm. Me pjesëmarrje dhe organizim të shumë aktiviteteve të ndryshme të rinisë së asaj kohe, znj. Bahrije u bë pengesë e regjimit dhe kështu në po të njejtin vit, në pranverën e vitit 1982, u paraburgos për 42 orë nga Sekretariati i Punëve të Brendshme. Privimi nga liria për këto pak orë dhe trysnia e bërë sistematikisht, nuk e zbehën asnjëherë idealin e saj për të kërkuar të drejtat dhe shprehur me zë të lartë brengat e asaj kohe.
Në vitin 1987, u martua me Hyzer Hysenin, nga fshati Bibaj, Komuna e Ferizajt. Bashkë filluan jetën në po të njëjtin fshat, e sot janë prindër të 3 fëmijëve, Jetmiri (1988), Egzona (1990) dhe Elvini (1998).
Në vitin 2007, filloi edhe një etapë të re të jetës së saj, duke marrë epitetin ‘Gruaja e parë, pronare biznesi në sektorin e ndërtimeve’ në Kosovë. Ajo themeloi një kompani ndërtimi në Ferizaj, e cila sot menaxhohet nga fëmijët e saj dhe vepron në të gjithë Kosovën.
Angazhimet e saj politike nuk kanë ndaluar asnjëherë, e kështu në vitin 2013, u emërua si anëtare e kryesisë së nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Fshatin e Bibaj-Fshati i Vjetër. Poashtu përveç saj u emërua edhe si Kryetare e Forumit të Gruas në po të njëjtën nëndegë.
Në vitin 2017, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Zgjedhjet Komunale, iu fut garës për asambleiste, nga e cila garë doli fituese, duke ushtruar kështu nga viti 2017 deri në vitin 2021 pozitën e Asambleistes Komunale në Komunën e Ferizajt.
Pas gjithë këtyre angazhimeve të parreshtura, në vitin 2020 u bë pjesë e Kryesisë së Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj.
Në vitin 2022 mori pozitën e Kryetares së Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Ferizajt. Me aktivitete të shumta e konkrete për qytetarët e Ferizajt e posaqërisht gratë e vajzat e kësaj Komune, znj. Bahrie u bë zë i fuqishëm e emër i njohur për të gjithë. Ajo edhe sot shquhet e falënderohet për përkushtimin e madh të saj që ka dhënë në Forumin e Gruas.
Komente