Mashtroi pacientët se ishte mjek për 8 vjet radhazi – aktakuzë ndaj të dyshuarit nga Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet A.R., për ushtrim të kundërligjshëm të profesionit të mjekut, falsifikim të dokumenteve dhe heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave, ka njoftuar Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës nga 04 korrik 2016 deri më 10 dhjetor 2024, në ordinancat “Almed” dhe më pas “Almedica”, ka ushtruar në mënyrë të paligjshme veprimtari mjekësore dhe farmaceutike, pa pasur diplomë të vlefshme apo licencë nga Ministria e Shëndetësisë.
“I pandehuri në vazhdimësi, pa pasur kualifikimet profesionale dhe autorizime ligjore, ka kryer trajtime mjekësore dhe shërbime farmaceutike në kundërshtim me rregullat dhe standardet e mjekësisë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
A.R. akuzohet se ka përpiluar diplomë të falsifikuar, duke u paraqitur si i diplomuar nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Tiranës, ndonëse “nuk ka qenë asnjëherë i regjistruar si student dhe nuk ka përfunduar ndonjë program studimi”.
Me këtë dokument të falsifikuar, ai themeloi fillimisht ordinancën “Almed” dhe më vonë e ri-regjistroi atë në emër të djalit të tij me emrin “Almedica”, për të vazhduar aktivitetin e tij të paligjshëm.
Ai është prezantuar si “Internist – Endokrinolog”, duke përshkruar terapi mjekësore dhe duke përdorur faksimile që krijonin përshtypjen e një ordinancë të ligjshme.
Ndër të tjera, sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit të fundit më 30 maj 2025, Inspektorati Shëndetësor vendosi shenjat zyrtare për ndërprerje të punës, por “i pandehuri heq shenjën zyrtare me qëllim të vazhdimit të veprimtarisë së kundërligjshme mjekësore”.
Për këto veprime, Prokuroria e akuzon A.R. për: “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” (neni 256), “Falsifikimi i dokumenteve” (neni 390), dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” (neni 406) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Komente