KDI publikon fotografi alarmuese: Lumenjtë e Kosovës të mbuluar nga mbeturinat plastike dhe mbetjet shtazore

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur alarmin për gjendjen shqetësuese të lumenjve në vend, duke publikuar disa fotografi të cilat dokumentojnë ndotjen e madhe që po i kanoset mjedisit.
Sipas KDI-së, shumë prej lumenjve në Kosovë janë shndërruar në deponi të hapura të mbeturinave plastike dhe, në disa raste, edhe të mbetjeve shtazore.
“Kjo është gjendja e shumicës së lumenjve të Kosovës, të cilët janë shndërruar në deponi të mbeturinave plastike, e për më keq edhe të mbetjeve shtazore,” thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të KDI-së në Facebook.
Fotografitë janë realizuar vetëm pak ditë më parë nga qytetarë të angazhuar, organizata joqeveritare lokale dhe aktivisti i njohur për mbrojtjen e mjedisit, Arian Mavriqi. Sipas KDI-së, zonat më të prekura përfshijnë komunat e Kamenicës, Lipjanit, Istogut, Pejës dhe Mitrovicës.
Instituti ka bërë të ditur se për këto shkelje të rënda mjedisore janë njoftuar tashmë komunat përkatëse, duke kërkuar veprime të menjëhershme dhe konkrete nga autoritetet lokale për t’i adresuar problemet e evidentuara.
Komente