Hapet panairi dy ditor i makinerive dhe aksesorëve për përpunim të drurit në Ferizaj

Komuna e Ferizajt po e përkrahë panairin dy ditor të makinerive dhe aksesorëve për përpunimin e drurit, që është organizuar nga kompania “Euro Swiss”, e cila është importuese e këtyre pajisjeve, me theks të veçantë në makineri për prodhimin e mobilieve. Në këtë panair, të interesuarit kanë mundësinë të vizitojnë nga afër ekspozitën e makinerive dhe të informohen mbi teknologjitë më të fundit në fushën e përpunimit të drurit.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik në Ferizaj, Balton Derguti, tha se kjo kompani ka importuar makineri dhe aksesorë kryesisht nga Zvicra, Gjermania dhe Austria, duke u ofruar përpunuesve të drurit në Kosovë mundësinë që të furnizohen direkt në Ferizaj, pa pasur nevojë të udhëtojnë në shtete të ndryshme evropiane.
“Përveç importit, kompania merret edhe me prodhimin e mobilieve të ndryshme nga druri dhe aktualisht eksporton produktet e saj në disa shtete evropiane, me theks të veçantë në Zvicër, ku ”Euro Swiss” ka edhe përfaqësinë e saj zyrtare. Panairi do të jetë i hapur edhe nesër dhe ftohen të gjithë të interesuarit ta vizitojnë”, ka thënë midis të tjerash Dërguti, përcjell zyra për informim në komunën e Ferizajt.
Të pranishmit në këtë panair i ka përshëndetur dhe mirëpritur pronari i kompanisë “Euro Swiss” Bujar Baliu.
Komente