Sot përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit
-1753251623950.jpg)
Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, për herë të 51-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Ndryshe Kuvendi i Republikës së Kosovës të hënën vazhdoi seancën e radhës konstituive.
Kryesuesi Avni Dehari kërkoi serish nga subjektet politike propozime për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë.
Në mungesë të propozimeve, kryesuesi Dehari procedoi me hedhjen në votim të komisionit me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Për përbërjen e komisionit votuan 53 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk pati.
Në këto rrethana Kuvendi ndërpreu punimet, ndërsa vazhdimi i radhës do të jetë të mërkurën, më 23 korrik, në orën 11:00.
Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar ditën e djeshme Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional dhe afatin e caktuar për konstituim në Aktgjykimin e Kushtetueses që përfundon me 26 korrik dhe pasojat nëse konstituimi nuk bëhet brenda afatit.
Përmes kësaj kërkese kërkohet miratimi i kërkesës për masë të përkohshme; vlerësimi preventim i konfliktit të kompetencave mes institucioneve kushtetuese në rast të konstituimit pas afatit kushtetues; zgjidhja e konfliktit kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të mungesës së konstitutimit të Kuvendit brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuesja; zgjidhja e konfliktit kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afatit të caktuar; të zgjidhë konfliktin e kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që mund të konstituohet pas afatit të caktuar në nenin 66 (1) të Kushtetutës dhe Aktgjykimit dhe në fund t`i sqarojë të gjitha efektet e tjera juridike lidhur me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.
Në adresë të Kushtetuteses tashnë janë dërguar edhe dy kërkesa, nga PDK dhe LDK. Këto dy parti i janë drejtuar Gjykatës lidhur me tri vazhdimet e seancës konstituive pas Aktgjykimit.
Komente