Cakolli: Votimi i fshehtë, tentativë për të turbulluar një çështje të qartë

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i është përgjigjur deklaratës së deputetit të Vetëvendosjes, Hekuran Murati, i cili ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 lejon votimin e kryetarit të Kuvendit përmes votës së hapur apo të fshehtë.
Cakolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se disa po përpiqen të argumentojnë se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit mund të bëhet edhe me votim të fshehtë, duke u thirrur në një prej pikave të aktgjykimit të Kushtetueses, të vitit 2014.
“Së fundmi, disa po përpiqen të argumentojnë se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit mund të bëhet edhe me votim të fshehtë – duke u thirrur në një prej pikave të aktgjykimit të Kushtetueses, të vitit 2014.Megjithatë, kjo është një tentativë për të turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë: zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik.
Votimi për të duhet të jetë po ashtu i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm.Në sistemin tonë parlamentar, votimi i hapur është rregulli. Votimi i fshehtë është përjashtim – dhe përjashtimet vlejnë vetëm kur janë të përcaktuara qartazi në normë, si në rastin e zgjedhjes së Presidentit apo të emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura. Votimi i fshehtë nuk mund të aplikohet thjesht pse “është më i lehtë” për dikë që nuk i siguron dot votat ndryshe.Në rastin tonë konkret, asnjë nen i Rregullores së Punës nuk parashikon që Kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet me votim të fshehtë.
Dhe kjo është thelbësore: nëse do të ishte paraparë një mënyrë e tillë, ajo jo vetëm që do të ishte e përshkruar qartë, por do të duhej të ishte gjithashtu e vetmja mënyrë votimi – e aplikuar që në fillim të procesit.Çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë rrjedhës së procedurës përbën shkelje të sigurisë juridike. Në një rend demokratik, rregullat nuk ndërrohen rrugës.
Deputetët, partitë – dhe mbi të gjitha qytetarët – duhet ta dinë që në fillim se si merret një vendim. Një proces që nuk është i parashikueshëm, nuk mund të quhet i drejtë.Vendosja e një precedenti të tillë do të ishte e rrezikshme. Nëse sot mund të ndërrohet forma e votimit për Kryetarin e Kuvendit, nesër mund të ndodhë e njëjta për Qeverinë, apo për secilën çështje tjetër me peshë politike.Parimisht, deputetët nuk janë zgjedhur për të fshehur votën e tyre. Ata janë aty për të përfaqësuar publikisht qytetarët që u kanë dhënë besimin. Nëse nuk kanë guximin të deklarojnë hapur për kë votojnë për Kryetar të Kuvendit, ndoshta nuk janë duke marrë një vendim për interes publik – por thjesht duke luajtur lojëra të brendshme partiake”, ka shkruar Cakolli.
Komente