Zjarrfikësit në Ferizaj kërkojnë kushte më të mira për punë

Zjarrfikësit në Ferizaj prej vitesh po vazhdojnë të përballen me mungesë të stafit, makinerisë, pajisjeve të tjera për punë dhe me të ardhura të dobëta financiare. Pavarësisht kësaj, ky institucion po vazhdon t’i dalë në ndihmë qytetarëve sa herë që ata kanë nevojë për fikje të zjarreve të ndryshme në shtëpie, banesa, fusha e male. Pastaj hapje të dyerve të ashensorëve, aksidente të komunikacionit, në energji elektrike e të tjera. Gjatë kësaj periudhe të këtij viti sipas raporteve të këtij institucioni, zjarrfikësit kanë intervenuar në 820 raste të ndryshme
Zymri Krasniqi, komandant i zjarrfikësve në Ferizaj, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se intervenimet e tyre ndahen nëpër kategori të ndryshme, ndërkaq e gjithë ndërrimi i kujdestarisë mbulohet me 3 deri në 4 zjarrfikës, që sipas tij është një numër i vogël i zjarrfikësve.
“Gjithsejtë jemi 27 zjarrfikës në shërbimin tonë në kuadër të ministrisë së Punëve të brendshme apo nga AME-ja. Ndërkaq kemi 3 deri në 4 zjarrfikës në një ndërrim që i bije një numër shumë i vogël. Mirëpo e kemi edhe një shoqatë e cila është prej tridhjetë e dy personave që na asistojnë dhe na bashkëngjiten për angazhimin dhe punën tonë që e kemi jashtëzakonisht të madhe në sezonin e verës dhe jemi falënderues ndaj Komunës që gjithmonë kemi qenë me një gjuhë të përbashkët që kemi arrit këtë shoqatë ta aktivizojmë si shoqatë asistuese në zjarre, fushore dhe malore dhe kemi arrit që gjendja në Komunën e Ferizajt të jetë në nivel duhur”, ka thënë Krasniqi.
Sipas Krasniqit, zjarret i kanë pasojat e veta, mirëpo gjithmonë mundohen të intervenojnë me kohë pas kërkesave të qytetarëve.
Komente