Kurti bën homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në SHBA: Ideali i tyre, udhërrëfyes për të ecur përpara

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 27 Shtator, 2025

Komente


Kurti bën homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në SHBA: Ideali i tyre, udhërrëfyes për të ecur përpara

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi – Yllit, Agronit dhe Mehmetit, gjatë vizitës së tij në New York.

Kurti u shpreh se ideali i vëllezërve Bytyqi, të cilët u vranë 26 vjet më parë nga forcat serbe, është udhërrëfyes për të ecur përpara.

“Duke i kujtuar e përkujtuar dëshmorët e kombit, në këtë rast vëllezërit Bytyqi, ne ia përkujtojmë vetes sonë se sa i lartë ishte çmimi që kemi paguar për lirinë që e gëzojmë dhe popullin që kemi, por njëkohësisht edhe ideali i tyre na shërben si udhërrëfyes për të ecur përpara, në mënyrë që të arrijmë atë çfarë ata e kanë dashur e për të cilën janë flijuar. Yllin, Agronin dhe Mehmetin do t’i kujtojmë përgjithmonë dhe brezi ynë ka për detyrë që këtë ta bëjnë edhe brezat pas nesh”, u shpreh ai, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Vëllezërit Bytyqi ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të njësitit të vullnetarëve “Atlantiku”. Më 23 qershor të vitit 1999, pak ditë pas çlirimit të Kosovës, tre vëllezër shqiptarë kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcjellin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbi, që po shkonte drejt Kralevës.

Gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët.

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj