Tentativa e nëntë – A do të konstituohet Kuvendi sot?

Sot bëhet përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në një seancë që do të jetë e nënta me radhë që nga 15 prilli, duke u zhvilluar çdo 48 orë.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun të zgjidhet kryetare e Kuvendit. Kjo është përpjekja e shtatë për kandidaturën e saj, pasi ka dështuar gjashtë herë më parë të sigurojë mbështetjen e nevojshme prej të paktën 61 votash. Në votimin e fundit, Haxhiu mori 56 vota, ndërsa 41 deputetë votuan kundër dhe tre abstenuan.
Në përgatitje për seancën e sotme, e planifikuar të fillojë në orën 10:00, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ftoi në një takim konsultativ dy partitë më të mëdha opozitare: Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
PDK-ja, përmes kryetarit Memli Krasniqi, pranoi ftesën dhe konfirmoi pjesëmarrjen në takim, i cili do të mbahet në orën 08:30 – një orë e gjysmë para seancës. Krasniqi ritheksoi nevojën urgjente për zhbllokimin institucional dhe propozoi që të gjendet një kandidat tjetër për kryetar Kuvendi që mund të sigurojë mbështetjen e shumicës. Ai theksoi gjithashtu se pozita e nënkryetarit nuk është objekt diskutimi.
Në anën tjetër, LDK-ja refuzoi pjesëmarrjen në takim. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ndodhet jashtë vendit, ndërsa zyrtarë të lartë të kësaj partie, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, konfirmuan publikisht qëndrimin refuzues.
Komente