Shqipëria qendër e diplomacisë, Rama sot mirepret liderët e 13 shteteve të rajonit

Shqipëria sot do të mirëpres Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore.
Kjo u bë e ditur gjatë ditës së djeshme nga vetë kryeministri Edi Rama, ku ka theksuar rëndësinë e këtij eventi për pozicionin e Shqipërisë.
Rama mes tjerash, tha se Tirana zyrtare, është e angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.
”Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Më 16 Qershor 2025, zhvillohet Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE”, tha ai.
Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024-Qershor 2025, pas Shkupit, dhe kryesuesja e radhës do të jetë Sofja.
Sipas agjendës në orën 14:30 – 15:15 do të zhvillohet pritja e delegacioneve nga presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe më pas fjalë hapëse prej kreut të shtetit. Presidenti Bajram Begaj pritet të zhvillojë edhe takime të veçanta me homologë dhe liderët pjesëmarrës për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende. Në mbyllje të samitit, presidenti Begaj do t’i kalojë homologut të tij bullgar Radev kryesinë e radhës të SEECP-së.
Në fund, pritet të mbahet edhe një deklaratë për shtyp nga Begaj, presidentja e RMV Gordana Siljanovska-Davkova dhe ai i Bullgarisë Rumen Radev. Shqipëria si kryesuese e radhës e SEECP për periudhën qershor 2024 – korrik 2025 nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë europiane” ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian. SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.
Komente