Roli i Ismail Qemalit në pavarësimin e Shqipërisë

Nga: Evarist Beqiri
Shumë është folur dhe shumë është shkruar lidhur me rolin e Austro-Hungarisë në realizimin e Pavarësisë së Shqipërisë. Vlen të theksojmë që në fillim se mbështetja politike austro-hungareze dhe italiane ishte tepër e rëndësishme në themelimin e shtetit modern shqiptar. Megjithatë, përtej mitizimeve dhe komplekseve ndaj të huajve, të cilat fshehin në rastin më të mirë injorancën dhe në më të keqin dashaligësinë, vlen që të analizojmë me objektivitet ngjarjet dhe faktet historike. Sepse, sa më të qartë që të shikojmë të shkuarën tonë, aq më të kthjellët mund të dallojmë në mugëtirë të ardhmen tonë … Përtej servilizmit klishe, duhet theksuar qysh në krye të herës, se Austro-Hungaria dhe Fuqitë e tjera, të gjendura përballë presionit të pansllavizmit në rritje, ishin për ruajtjen e status kuosë në Ballkan. Ato ishin kundër shkëputjes së popujve të tjerë joturq nga perandoria. Prandaj, patriotët shqiptarë kërkonin fillimisht autonominë nga Perandoria Osmane. Shkëputja e shqiptarëve nga shteti osman, qoftë edhe me rrugë revolucionare, do të ligjëronte ndërhyrjen e shteteve fqinje që në fakt e prisnin këtë moment, siç edhe ndodhi.
Po ashtu nga Evarist Beqiri:
– Përplasjet e Ismail Qemalit me Sulltanin
– Ismail Bej Qemali në Kongresin e Xhonturqve në vitin 1902 në Paris
– “The New York Times” për arratisjen e Ismail Qemalit nga Stambolli
– Forca e karakterit dhe lidershipi: Zotësia e Ismail Qemalit, si guvernator i Bejrutit
Në këto kushte patriotët shqiptarë po punonin për ngritjen e shkallës së ndërgjegjes kombëtare duke intensifikuar punën për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e sa më shumë shkollave në gjuhën amtare. Ismail Qemali, në periudhën që jetoi në Bruksel dhe po punonte për çështjen shqiptare, zhvilloi takime me diplomatë të ndryshëm. I tillë ishte edhe ai me kontin Metsch Khevenhüller, ambasadori austro-hungarez në Bruksel, i cili u përcoll në një raport të dërguar ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, kontit Agenor Maria Gołuchowski, nga Brukseli, më 6 qershor 1901. Në raport ai pasqyronte bisedën diplomatike të zhvilluar midis tij dhe Ismail Qemalit.
Në këtë takim Ismail Qemali, i kërkonte drejtpërdrejt konsullit austro hungarez mbështetjen e Austro-Hungarisë, në çuarjen përpara të çështjes shqiptare, duke zgjuar vetëdijen kombëtare shqiptare me anë të lëvrimit të gjuhës shqipe në shkolla. Njëkohësisht, ai kërkonte mbështetjen për të forcuar idenë e autonomisë dhe gradualisht Shqipëria të përgatitet që të qëndrojë vetë në këmbë si shtet i pavarur, në rastin e shkatërrimit eventual të Perandorisë Osmane.
Në raportet diplomatike të kësaj periudhe pasqyrohet edhe shtimi i kontrolleve ndaj përdorimit të librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Kjo shfaqje e nervozitetit të autoriteteve osmane dhe shqetësimi i madh i tyre vihet re menjëherë pas arratisjes së Ismail Qemalit nga Stambolli. Autoritet turke e kishin rritur vigjilencën në Shqipëri, pasi Ismail Qemali bënte pjesë te shqiptarët më të shquar që shërbenin në shtetin osman. Gjithashtu, Ismail Qemali kishte shumë pasues në Shqipërinë e Jugut, të cilët e vlerësonin atë si një burrë shteti me kulturë të madhe. Këto fakte i shqetësonin autoritetet osmane. Por, ata me reagimin e tyre agresiv ndaj arratisjes së Ismail Qemalit, i veshën atij një aureolë më të shndritshme. Në vazhdën e këtyre veprimeve, pallati ngarkoi Esad pashë Toptanin për të mbledhur nënshkrime në Shqipërinë e Jugut dhe atë të Veriut, për një deklaratë kundër Ismail Qemalit. Patriotët shqiptarë dhe e gjithë popullata që ishte e pakënaqur me gjendjen, filluan të ushqenin shpresa dhe ideale të mëdha te figura e Ismail Qemalit. Këto zhvillime e shndërruan atë në personalitetin më të rëndësishëm shqiptar. Për pasojë, autoritet osmane u frikësuan dhe u bënë edhe më tepër nervoze. Ata filluan të kryenin kontrolle të shumta në shtëpitë e patriotëve shqiptarë. Ata kryen edhe arrestime të patriotëve shqiptarë në Shqipëri dhe Turqi.
Qysh në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX, Ismail Qemali pranohej gjithësisht si udhëheqësi i shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, edhe pas fitores së Revolucionit Xhonturk (1908), ai shikohej si një prej figurave kryesore otomane.
Dy ngjarje të rëndësishme për fatin e Ballkanit do të zhvilloheshin në vitin 1908: aneksimi i plotë i Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria dhe deklarimi i pavarësisë së Bullgarisë. Xhonturqit e kuptuan se, nëse do të ecej në këtë linjë, fundi i sundimit osman do të ishte i shpejtë, ndaj menjëherë ua filluan politikave centralizuese. Në këto momente ekzistonin dy rryma patriotike shqiptare: 1) Krahu kombëtarist i kryesuar nga Ismail Qemali ishte që ky moment të shfrytëzohej dhe shteti osman të njihte zyrtarisht ekzistencën e kombit shqiptar dhe njëkohësisht Shqipëria të vetëqeverisej si një entitet politik i mirëpërcaktuar; 2) Krahu i moderuar, i kryesuar nga Mid’hat Frashëri ishte për avancimin e kërkesave kulturore dhe për arsim në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata nuk ishin për kërkesa politike.
Komente