Haxhiu: Moscertifikimi i Listës Serbe është fitore për demokracinë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka përshëndetur vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 12 tetorit.
Ajo e ka cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e demokracisë dhe sigurisë në Kosovë.
“Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe përbën një fitore të rëndësishme për demokracinë, integritetin e procesit zgjedhor dhe sigurinë qytetare e shtetërore. Lista Serbe, në mënyrë të përsëritur, ka vepruar kundër parimeve kushtetuese dhe ka cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës. Ajo nuk ka synuar përfaqësim qytetar, por ka shërbyer si dorë e zgjatur e Vuçiqit. Sulmi terrorist në Banjskë, i organizuar nga kryetari i saj faktik, Milan Radoiçiq, është një nga aktet kriminale ndaj të cilave Kosova ka reaguar me vendosmëri”, ka deklaruar Haxhiu.
Edhe pse disa njohës të çështjeve juridike e kanë vlerësuar këtë vendim si të padrejtë, Haxhiu theksoi se ai është plotësisht në përputhje me Kushtetutën.
“Moscertifikimi i saj është vendim i drejtë, legjitim dhe në përputhje të plotë me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ky është garant që zgjedhjet do të jenë shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve, pa ndërhyrje të jashtme dhe pa presione nga struktura kriminale. Institucionet mbeten të përkushtuara për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë, gjithëpërfshirës dhe demokratik”, ka shtuar ajo.
Komente