Përkujtohet masakra në Lagjen e Re në Rakoc të Kaçanikut

ytetarët e Kaçanikut e kujtojnë me dhimbje 9 prillin e vitit 1999 ku forcat serbe vranë 32 martirë. Ndërkaq në mbrojtje të civilëve ranë heroikisht edhe 28 dëshmor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç qytetarëve, këtë ditë e kanë përkujtuar drejtuesit e shtetit dhe ata të Komunës së Kaçanikut.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, me këtë rast ka thënë se më 9 prill 1999, Kaçaniku u rrethua nga forcat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët.
“Jemi këtu në Kaçanik për të nderuar kujtimin e burrave dhe grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të guximit dhe të dashurisë për atdheun. Në mëngjesin e 9 prillit 1999, Kaçaniku agoi i rrethuar nga forcat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët. Në betejat në Lagjen e Re dhe në Rakoc ranë heroikisht 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë 28 martirë. Jemi këtu për të nderuar të gjithë dëshmorët dhe martirët në betejat e Kaçanikut”, ka thënë Kurti.
Ai më tej ka thënë se nderojnë në veçanti katër gratë dëshmore të cilat ranë duke mbrojtur popullsinë civile.
“Kujtojmë katër ushtaret e UÇK-së që ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika Muhaxheri. I përkujtojmë sot, në 26-vjetorin e rënies. I kujtojmë gjithmonë çdonjërën prej tyre të gjithë ne. Jemi në Kaçanikun e 7 shtatorit 1990, ku delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe shpallën Republikën e Kosovës, si shtet demokratik të kombit shqiptar dhe të pjesëtarëve të kombeve dhe pakicave kombëtare, shtetasve të vet, me territor unik, të patjetërsueshëm dhe të pandashëm”, ka thënë më tej Kurti.
Ai më tej tha se Kushtetuta e Kaçanikut, përveçse gurthemel i shtetësisë së Republikës së Kosovës, është triumfi i legjitimitetit popullor të vullnetit të lirë qytetar, mbi regjimin jolegjitim e shtypës të Serbisë. “Ky vullnet i lirë dhe i ligjshëm u kurorëzua me luftën çlirimtare të popullit shqiptar të organizuar e të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës për bashkim e për liri, për çlirimin e Republikës së Kosovës nga okupimi e sundimi serb më 12 qershor 1999. U deshën gati nëntë vjet nga Kushtetua e Kaçanikut që të arrijmë te çlirimi i Kosovës dhe sërish, po aq, gati nëntë vjet, që nga çlirimi i Kosovës të mbërrijmë te shpallja e pavarësisë”, ka thënë më tej Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi ka thënë se po e përkujtojnë me nderim të thellë përvjetorin e Masakrës në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut, ku ranë heroikisht 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë mizorisht 32 civilë.
“Ata u flijuan për lirinë tonë, në mbrojtje të popullsisë civile nga barbaria e regjimit gjenocidal të Serbisë. Kujtimi për ta dhe për martirët do të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për ne dhe brezat që vijnë”, ka thënë midis të tjerash Osmani.
Me një fjalë rasti u është drejtuar edhe kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi duke shpalosur kujtimet e 9 prillit 1999 ku forcat serbe vranë 32 civil dhe në mbrojtje të tyre ranë 28 dëshmorë.
Komente