Për një muaj Policia në rajonin e Ferizajt shqipton afër gjashtë mijë gjoba në trafik

Policia rajonale e Ferizajt gjatë muajit prill ka shqiptuar gjithsejtë 5 mijë e 737 gjoba në trafik ndaj vozitësve që kanë bërë shkelje të rregullave të komunikacionit. Sipas zëdhënësit të Policisë në këtë rajon, Kanun Veseli, gjobat kishin për qëllim vetëdijësimin e vozitësve dhe parandalimin e aksidenteve.
Veseli në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se gjatë muajit prill Policia ka hequr edhe 57 patentë shoferë për drejtuesit e automjeteve pasi që ata kanë kryer shkelje të rënda në trafik.
“Gjatë muajit prill ka pasur disa plane operative me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe janë shqiptuar gjithsejtë 5 mijë e 737 gjoba për vozitësit, ndërsa krahasuar me muajin prill të vitit 2024, ishin shqiptuar 5.076 gjoba. Sa i përket patentë shoferëve ndaj vozitësve janë parashikuar masa mbrojtëse e heqjes së patentë shoferit sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë Veseli.
Sipas tij, Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelon tek shoferët që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit.
“Ftojmë gjithashtu qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë të gjitha kundërvajtjet në komunikacion, duke njoftuar menjëherë stacionin më të afërt të policisë ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe numrave kujdestarë”, ka shtuar Veseli.
Komente