Osmani takoi liderin e BDI-së, Ali Ahmeti: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut – faktor kyç për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik

A O A O Postuar: 29 Prill, 2025

Komente


Osmani takoi liderin e BDI-së, Ali Ahmeti: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut – faktor kyç për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, me të cilin bisedoi për aktualitetin politik dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, ku palët diskutuan për zhvillimet më të fundit politike në Kosovë dhe në rajon, me fokus të veçantë tek marrëdhëniet ndërshqiptare dhe koordinimi strategjik mes përfaqësuesve politikë shqiptarë në të dy shtetet.




Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar ata si një faktor thelbësor për stabilitetin e brendshëm të këtij shteti dhe për orientimin e tij drejt strukturave euroatlantike. Ajo theksoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut është i një rëndësie të veçantë për gjithë rajonin, thuhet në komunikatë.





“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë popull konstituiv dhe një forcë vendimtare në drejtimin e këtij shteti drejt integrimit në NATO dhe BE”, u shpreh Presidentja Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një bazë e fuqishme për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Presidentja bëri thirrje për unitet dhe vigjilencë përballë çdo tendence që mund të rrezikojë të drejtat e fituara të shqiptarëve në këtë vend. Ajo theksoi se çdo përpjekje për të minuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit duhet të kundërshtohet me vendosmëri nga të gjithë faktorët politikë shqiptarë, si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në gjithë rajonin.

Në këtë kontekst, Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me të gjitha forcat që veprojnë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të rajonit. Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së dialogut të vazhdueshëm ndërshqiptar, si mjet për forcimin e rolit të shqiptarëve si faktor bashkues dhe paqendërtues në Ballkanin Perëndimor.



Takimi përfundoi me pajtimin e ndërsjellë për intensifikimin e kontakteve dhe bashkëpunimit strategjik ndërmjet Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar të ardhmen evropiane të rajonit. /

A O
Autor

A O


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj