KQZ-ja po pret të kalojnë 48 orë për t’i shpallur rezultatet, partitë certifikimin për t’ia nisur konstituimit të institucioneve

Dje ka përfunduar numërimi i të gjitha votave që u hodhën nëpër kuti votimi në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Pra, KQZ-së iu deshën 24 ditë që t’i numërojë votat e rregullta, votat e diasporës, votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara. Tashti pritet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre.
Më 9 shkurt në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Menjëherë nisi numërimi i votave të rregullta për subjekte politike. Pas përfundimit të tyre, KQZ-ja nisi t’i numërojë votat për kandidatët për deputetë, proces i cili pati nisur një ditë me vonesë dhe përfundoi, më 22 shkurt.
Pas tyre filloi numërimi i votave të diasporës, që në këto zgjedhje u bë në dy mënyra- përmes postës dhe në përfaqësitë diplomatike.
Në dorën e punonjësve të QNR-së radha u erdhi edhe votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara.
Të gjitha këto zgjatën 24 ditë. Dje përfundoi i gjithë procesi i numërimit.
KQZ u kritikua se hyri e papërgatitur në këtë proces pasi faqja e saj ra natën e zgjedhjeve teksa po rezultatet po shfaqeshin. Hetimet janë duke u zhvilluar për të parë se cilat ishin shkaqet e dështimit të faqes natën e zgjedhjeve.
Çka pritet tashti?
Pas përfundimit të numërimit, KQZ-ja duhet t’i shpallë rezultatet përfundimtare.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi kishte thënë se rezultatet përfundimtare do të shpallen më 5 mars, ndërsa certifkimi do të bëhet më 18 mars. VV-ja si duket për cështjen e koalicioneve s’do të lëvizë para kësaj date.
‘‘Së pari ne presim certifikimin e rezultateve dhe pastaj do të ulemi dhe të shikojmë për rrugën përpara”, tha kryeministri në largim Albin Kurti.
Elezi ka thënë se rezultatet përfundimtare nuk do të shpallen deri të paktën pas kalimit të afatit 48-orësh për ankesa në PZAP, i cili ka filluar të mërkurën në orën 21:00, e që përfundon të premtën në orën 21:00.
Komente