Ish-shefi i TaskForcës AntiDrogë, Avdullah Hasani: Të rinjtë tanë po helmohen – kjo është tradhti ndaj brezit të ardhshëm!

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 19 Maj, 2025

Komente


Ish-shefi i TaskForcës AntiDrogë, Avdullah Hasani: Të rinjtë tanë po helmohen – kjo është tradhti ndaj brezit të ardhshëm!

Përdorimi i narkotikëve në Kosovë vazhdon të jetë një nga problemet më shqetësuese me të cilat përballet shoqëria kosovare, veçanërisht të rinjtë, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të përdoruesve.

Lidhur me këtë dukuri ka reaguar ish-shefi i TaskForcës AntiDrogë dhe ligjëruesi universitar, Avdullah Hasani, i cili në një status në rrjetet sociale ka qenë mjaft kritik ndaj mënyrës se si qytetarët dhe institucionet po e trajtojnë këtë çështje, duke e konsideruar pothuajse normale përdorimin e narkotikëve.

Hasani ka theksuar se mosangazhimi për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, nga institucionet e sigurisë, ato të arsimit, por edhe nga prindërit dhe vetë shoqëria, përbën një tradhti ndaj brezit të ardhshëm.

Postimi i plotë i Avdullah Hasanit.

Kjo është tradhti ndaj brezit të ardhshëm! Të rinjtë tanë po helmohen me drogë, ndërsa institucionet, shoqëria, dhe prindërit e tyre bëjnë sikur nuk shohin. Ne nuk duhet të pajtohemi me këtë krim të heshtur. Është koha të ngrihemi, të “bërtasim”, të kërkojmë përgjegjësi! Droga nuk është “diçka normale” – është një alarm kombëtar dhe duhet ndalur. Përdorimi i narkotikëve asnjëherë nuk ka qenë në rregull, nuk është në rregull dhe nuk duhet të jetë kurrë.

Është alarmante rritja e përdorimit të narkotikëve tek të rinjtë, ndërsa institucionet heshtin ose veprojnë me indiferencë. Kjo nuk është thjesht statistikë – është shkatërrimi i brezit të ardhshëm përpara syve tanë. Indinjata jonë duhet të kthehet në veprim. Nuk mjafton të konstatojmë se “të rinjtë po përdorin drogë” – duhet të ngrihemi, të reagojmë dhe të kërkojmë përgjegjësi! Shoqëria nuk duhet ta normalizojë këtë fenomen, por ta luftojë me forcë dhe me ndërgjegje të përbashkët. Duhet të ngremë zërin për bijtë dhe bijat tona, me qëllim parandalimin e kësaj dukurie. Nuk mund të presim vetëm nga institucionet – edhe ne kemi një rol kyç në zgjidhjen dhe parandalimin e kësaj situate.

Deri tani kemi marrë përgjigje të pakënaqshme. Përfaqësuesit dhe drejtuesit institucional e politikë, si “andej” ashtu edhe “këtej” partive, po tregohen të paaftë dhe pa vullnet për të funksionalizuar institucionin kryesor të Republikës, e aq më pak për t’u marrë me problemet e fëmijëve tanë. Ju duhet të reagoni vetë – veprimi juaj është përgjigjja që do të merrni. Kujtojmë se Hasani, si Ndihmës i Kryeministrit të Kosovës ka drejtuar Task Forcën kundër narkotikëve, por ka dhënë dorëheqje për tu emëruar Këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. 

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj