Ish-presidenti Moisiu mbush 95 vjet

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu sot ka pranuar urime të shumta në 95 vjetorin e lindjes.
Një urim të veçantë ka bërë edhe presidenti aktual, Bajram Begaj. Ai ka shkruar në Facebook se bashkohet me familjarët, miqtë dhe dashamirësit e presidentit, për t’iu transmetuar urimet më të përzemërta për shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe aktive.
“Në rrugëtimin historik të shtetit shqiptar, Ju, i nderuar President Moisiu, keni dhënë kontribute të shumta e të çmuara, për të cilat populli shqiptar Ju vlerëson me konsideratë të lartë. Në çdo hap që keni hedhur, Ju keni shkëlqyer. Ju kontribuuat me përgjegjësi gjatë ushtrimit të detyrës së Kreut të Shtetit, veçanërisht në kohë zhvillimesh të vështira, por edhe me urtësi, ekuilibër dhe frymë përbashkuese në konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, parimit të të drejtave dhe lirive themelore, si dhe forcimit të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë”, ka shkruar ai.
Alfred Moisiu lindi më 1 dhjetor 1929, në qytetin e Shkodrës. Ai ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në vitet 1946-1948 kreu studimet në Shkollën e Inxhinierisë Ushtarake në Petersburg, Rusi, dhe u laureua në Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë me Medalje të Artë në vitet 1952-1958. Në vitet 1948-1949 ka qenë Komandant toge në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë; Instruktor në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1949-1951; ka punuar në Drejtorinë e Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes në vitet 1958-1966.
Kursin e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e kreu në vitet 1967-1968 në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë. Zoti Moisiu shërbeu si zëvendësministër i Mbrojtjes, nga viti 1981 deri në tetor 1982. Në vitet 1982-1984 ka qenë Komandant i Kompanisë së Xhenjos në Burrel dhe në vitin 1985 doli në pension.
Komente