Inspektorati i punës ndërprenë punimet në dy objekte shkollore në Shtime

Inspektorati i Punës në Ferizaj ka ndërmarrë veprime konkrete në terren, duke konstatuar shkelje të sigurisë në dy objekte shkollore derisa aty po zhvillohen punime ndërtimore. Sipas monitoruesve të shoqërisë civile “Avonet” në shkollën “Bajram Curri”, punimet ndërtimore janë zhvilluar pa respektimin e standardeve bazë të sigurisë në punë dhe po ashtu edhe në shkollën “Emin Duraku”, punimet janë zhvilluar në prezencë të fëmijëve derisa ata po e mbanin mësimin.
Gjatë punimeve në shkollën “Bajram Curri” janë parë edhe zyrtarë komunal duke i shikuar punimet pa i vendosur helmetat dhe pa masa mbrojtëse.
Pas reagimit të prindërve dhe të shoqërisë civile “Avonet”, Inspektorati i Punës ka dalë në vendngjarje dhe ka ndërmarrë masën e rrethimit të kantierëve me shirita paralajmërues, duke konstatuar shkelje të Ligjit nr. 2003/19 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Udhëzimit Administrativ nr. 05/2013 dhe dispozitave tjera në fuqi.
Lorik Krasniqi, zëvendës drejtor në organizatën joqeveritare “Avonet” ka thënë prë Telegrafin se veprimi i inspektoratit të punës në shkollat e komunës së Shtimes, ishte profesional. Sipas tij, inspektorati ka ndërmarrë masa të menjëhershme duke ndaluar punimet dhe duke vendosur shirita mbrojtës në hapësirat përreth shkollës.
“Ky reagim i menjëhershëm është dëshmi se institucionet kompetente mund dhe duhet të veprojnë pa vonesa kur rrezikohet jeta e fëmijëve. AVONET konsideron të papranueshme që punimet të zhvillohen pa masa elementare të sigurisë, e aq më tepër gjatë kohës kur në objekt ndodhen nxënës dhe staf arsimor. Ekspozimi i fëmijëve ndaj kushteve të rrezikshme nuk është vetëm shkelje e ligjit, por edhe një dështim moral dhe institucional”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, çdo institucion arsimor duhet të ofrojë hapësirë e sigurt, e jo vend ku rrezikohet jeta e fëmijëve.
Komente