Iniciohen procedura për vepra penale për personat që ndezën zjarre në regjionin e Ferizajt

Gjatë ditëve të fundit Policia Rajonale në Ferizaj dhe Zjarrfikësit janë përballur me zjarre të përmasave të mëdha nëpër vise malore. Ndërkohë Policia po i kushton vëmendje të veçantë këtyre rasteve në këtë rajon, të cilat janë shënuar në zona të ndryshme, përfshirë ato pyjore, fushore, rurale dhe të banuara.
Policia e Kosovës në këtë regjion ka identifikuar disa persona si të dyshuar për disa raste të ndezjeve të zjarreve, ndërkohë kanë proceduar lëndët për vepra penale si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Nëpërmjet një komunikate Policia ka falënderuar reagimin e shpejtë të koordinuar me shërbimet zjarrfikëse, drejtoritë komunale të emergjencave dhe agjencitë tjera përkatëse.
“Është arritur të parandalohet përhapja e zjarreve dhe të minimizohen dëmet. Në çdo rast, policia ka dalë menjëherë në vendngjarje për të mbledhur informacione mbi shkaqet dhe rrethanat e incidenteve. Në disa raste, janë identifikuar dhe proceduar penalisht personat e dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, përfshirë raste të ndodhura në Shtime dhe Kaçanik, ku ndaj tyre janë iniciuar raste për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Po ashtu, hetimet vazhdojnë për incidente të tjera të zjarrvënieve edhe në zona të tjera të rajonit të Ferizajt”, thuhet në komunikatë.
Policia apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin djegien e hapësirave fushore dhe pyjore, pasi pasojat mund të jenë të rënda dhe të pakthyeshme.
“Kujtojmë se zjarrvënia, qoftë e qëllimshme apo nga pakujdesia, përbën vepër penale dhe ndaj autorëve do të ndërmerren masa ligjore të rrepta dhe të pakompromis. Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë publike dhe për të parandaluar çdo rrezik që kërcënon jetën dhe pronën e qytetarëve. Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo rast të zjarrvënieve përmes stacionit më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë. Po ashtu mund të lajmërohen Policia edhe përmes numrave zyrtar 192, 0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në komunikatë.
Komente