Haxhiu: Vendimi i Kushtetues nuk do t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 11 Qershor, 2025

Komente


Haxhiu: Vendimi i Kushtetues nuk do t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit

Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, është shprehur skeptike se Gjykata Kushtetuese do të mund të zgjidhë ngërçin institucional që ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit.

“Nuk kam besim se Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi do të na japë rrugë për zgjidhje. Çështja është se nuk ka objekt”, tha Haxhiu në një deklaratë për media.


Ajo theksoi se kërkesa e dorëzuar nga AAK në Kushtetuese nuk ka bazë të mjaftueshme për shqyrtim, pasi mungon një vendim të Kuvendit që do të mund të kontestohej.



“Nuk ka një vendim të miratuar nga Kuvendi që të mund të konsiderohet si objekt i ankesës për Gjykatën Kushtetuese”, shtoi Haxhiu, duke lënë të kuptohet se zgjidhja e bllokadës aktuale kërkon një vullnet të ri politik dhe jo vetëm ndërhyrje juridike.


Haxhiu ka folur edhe për rrugëtimin 20-vjeçar të Vetëvendosjes, duke vënë në pah sfidat, qëndresën dhe arritjet e saj ndër vite.

“Prej 2005 deri në 2010 ka qenë periudha më sfiduese, dhe pastaj më 2010 kur VV vendosi që ta shtojë aktivitetin edhe në Kuvendin e Kosovës. Ne kemi arritur që ta marrim 13 deputetë për herë të parë”, tha Haxhiu, duke rikujtuar sfidat e hershme që përfshinin sulme e tendenca për ta shuar Lëvizjen.

Ajo foli edhe për protestat e vitit 2007, ku dy persona u vranë dhe mbi 90 të tjerë u plagosën.

“Ne kundërshtonim Pakon e Ahtisarit dhe falë asaj rezistence hyri termi pavarësi, sepse ajo nuk ekzistonte fillimisht”, tha Haxhiu në RTK.

Haxhiu përmendi edhe periudhat kyçe të zhvillimit të Vetëvendosjes, nga opozita e fuqishme parlamentare në vitet 2010-2014, fitorja në Prishtinë, bashkimi i VLAN-it, deri te periudha e qeverisjes 2020-2025.

“Po të mos ishte rezistenca popullore dhe e Vetëvendosjes kundër ‘Zajednicës’, sot do t’i vuanim pasojat. Kemi bërë përpjekje maksimale që ta ndalim edhe demarkacionin me Malin e Zi. Po ashtu ka qenë sfida me amnistimin e kriminelëve serbë”, shtoi ajo.

Sipas Haxhiut, suksesi i Vetëvendosjes është rezultat i angazhimit dhe punës së pandalshme të aktivistëve ndër vite.

“Falë punës së aktivistëve, Vetëvendosje ka arritur që të jetë partia më e madhe në vend”, tha ajo.





Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj