Fushata zgjedhore në 10 ditët e fundit, analistët: Partitë po evitojnë përplasjet, duan të ruajnë bazën e votuesve

Fushata elektorale në Kosovë është karakterizuar nga një qasje e pazakontë, ku partitë politike po zhvillojnë fushata të ndara dhe pa përplasje të drejtpërdrejta mes tyre. Kështu kanë vlerësuar analistët politikë, të cilët kanë analizuar 20 ditët e deritanishme të garës zgjedhore.
Analisti Ylli Hoxha ka thënë në TV Dukagjini se kjo fushatë është e veçantë, pasi subjektet politike janë fokusuar në mobilizimin e elektoratit të tyre dhe nuk po përballen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën.
“Partitë janë duke zhvilluar fushata paralele që nuk po ndeshen mes vete. Vetëm LDK-ja ka një tentativë për të tërhequr votues nga elektorati i LVV-së, ndërsa subjektet tjera nuk kanë bërë sulme për t’ia cënuar njëra-tjetrës elektoratin”, ka deklaruar Hoxha.
Analisti Astrit Gashi ka vlerësuar se në këtë fushatë është folur më së shumti për Albin Kurtin, por sipas tij kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është në favor të tij.
Analisti Dardan Gashi ka vënë në pah një premtim të veçantë të Fatmir Limajt, i cili ka propozuar ndërtimin e një termocentrali me qymyr, duke theksuar pasuritë e Kosovës në këtë resurs.
“Fatmir Limaj e prezanton gjithkah se ne kemi qymyr dhe duhet të bëjmë termocentral me qymyr. Është sfidë, pasi dikush mund ta kundërshtojë, por ky është një premtim i guximshëm”, ka deklaruar Gashi.
Ndërkohë, analisti Viktor Buzhala ka thënë se shumica e partive opozitare kanë premtuar ndërtimin e një termocentrali me gaz, por sipas tij problemi kryesor mbetet kostoja e lartë.
“180 euro për megavat kushton sot energjia me gaz natyror për Maqedoninë. Për Kosovën do të ishte edhe më e shtrenjtë, pasi jemi më larg nga vendet që na furnizojnë me gaz. Kjo do të thoshte trefishim të tarifave të energjisë elektrike në krahasim me çmimin aktual”, ka thënë Buzhala.
Komente