Fanella me të cilën debutoi Kobe Bryant në NBA shitet për një çmim rekord në ankand

Fanella të cilën Kobe Bryant e ka veshur në debutimin e tij në NBA është shitur për shtatë milionë euro në një ankand të enjten.
Sipas shtëpisë së ankandit Sotheby’s, kjo shitje vendos një rekord për reliket e lidhura me legjendën e Los Angeles Lakers, i cili vdiq në një aksident me helikopter në vitin 2020 së bashku me vajzën e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona të tjerë.
Kjo shifër prej shtatë milionë eurosh tejkalon rekordin e mëparshëm të 5.85 milionë eurove që janë paguar për fanellën e nënshkruar të Bryant nga sezoni 2007/2008 në të cilën ai e fitoi çmimin ‘MVP’ në NBA.
Si një 18-vjeçar, atëbotë Bryant kishte veshur fanellën e famshme ngjyrë të verdhë me numrin tetë në ditën e prezantimit para mediave, debutimi i tij në parasezon dhe debutimi në sezonin e rregullt më 3 nëntor 1996, si dhe në katër ndeshje të tjera.
Sipas ESPN, Bryant ka luajtur gjashtë minuta, por nuk ka shënuar asnjë pikë në debutimin e tij në sezonin e rregullt ndaj Minnesota Timberwolves.
Sotheby’s e përshkruan fanellën si një “urë midis potencialit të papërpunuar të një adoleshenti që bëri mrekulli dhe madhështisë së rafinuar që do të pasonte”.
Fanella u shit më parë për 115,242 mijë dollarë në ankand në vitin 2012.
Ndonëse Bryant regjistroi një mesatare prej 7.6 pikësh për ndeshje në sezonin e tij të parë në NBA, ai më pas u pensionua si njëri nga më të mirët e të gjitha kohërave me pesë tituj të fituar.
Sipas Reuters, kjo është fanella e katërt më e shtrenjtë ndonjëherë në historinë e sporteve vetëm mbrapa asaj të Babe Ruth (24 milionë euro), Michael Jordan (10.1 milionë) dhe Diego Maradona (9.3 milionë euro)./
Komente