Dosja e Prokurorisë: Kështu u bën dallaveret për patentë shofer nga pronarë të autoshkollave e ekzaminerë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit: Drilon Ahmeti, Ekrem Ahmeti, Emsh Ahmeti, Avni Abdyli, Sabri Arifaj, Sadri Sutaj, Kamer Shabanaj, Afrim Toçani, Naim Murseli dhe Leutrim Abdyli, të cilët u arrestuan në aksionin e policisë më 29 maj nën dyshimin për dallavere me patentë shoferë.
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, Policia të enjten arrestoi 11 të dyshuar për keqpërdorime me patentë shoferë. Prokuroria ka kërkuar paraburgim për 10 prej tyre.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar Dosjen e Prokurorisë, e cila është parashtruar të premten, derisa në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas Prokurorisë, Drilon Ahmeti, Ekrem Ahmeti dhe Emsh Ahmeti, gjatë vitit 2024 e deri më 28 maj 2025, në Prishtinë dhe Viti- Gjilan, Drilon dhe Ekrem Ahmeti (babë e bir) pronarë të autoshkollës “Driloni” Shpk dhe “Driloni” në Viti, në bashkëkryerje me të pandehurin Emsh Ahmeti, për të pajisur me patentë shoferë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kanë kërkuar dhe pranuar para në vlerën prej 600 euro nga kandidati për patentë shofer- tani i pandehuri E.K., me premtimin se janë në gjendje të ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e koordinatorit për patentë shofer në Gjilan – të pandehurin Avni Abdyli.
Me këtë, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, par.1 dhe 2 të Kodit Penal, lidhur me nenin 31.
Në pikën e dytë të kërkesës, i pandehuri Drilon Ahmeti dyshohet se nga 18 dhjetori 2024 e deri më 28 maj 2025, në pozitën pronarit të autoshkollës “Driloni”, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ka mundësuar që persona/kadidatë të ndryshëm të pajisen me patentë shoferë, pa qenë të aftë për një gjë të tillë, dhe këtë e kanë bërë duke marrë para nga kandidatët.
Aty thuhet se një pjesë të atyre parave ua kanë dhënë ekzaminerëve/pyetësve për t’i kaluar kandidatët e caktuar. I pandehuri Drilon, pa qenë fare prezent (pa qenë asnjëherë prezent në autoshkollë) dhe duke qenë në dijeni se kandidati në atë periudhë nuk ka qenë në Kosovë, ia ka regjistruar patentë shoferin dhe në autoshkollë ia ka kompletuar dosjen me nënshkrime false se kinse kandidati i ka dëgjuar ligjëratat dhe po ashtu ka nënshkruar për kandidatët se kinse i ka kryer orët praktike të vozitjes.
Me këtë, Drilon Ahmeti dyshohet se ka kryer veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 391, par.1, pika 1.1 të Kodit Penal.
Komente