Dhjetë veprat e mia të preferuara të ekspozuara në Luvër

Luvri, një ish-pallat mbretëror dhe muzeu më i madh e më i vizituar në botë, ekspozon rreth 35 mijë vepra arti që datojnë nga viti 7000 p.e.s. deri në mesin e shekullit XIX. Të gjithë humbasin brenda tij, dhe kjo nuk ka rëndësi; çfarëdo rruge të marrësh, çfarëdo objekti të hasësh, mbresat e përgjithshme mbi imagjinatën dhe shpikjen njerëzore përgjatë civilizimeve dhe epokave janë emocionuese dhe frymëzuese.
Por, siç ka pranuar edhe presidentja e Luvrit, Laurence des Cars, një vizitë në këtë muze të mbipopulluar mund të jetë gjithashtu një “sprovë fizike”, dhe disa ambiente kanë nevojë urgjente për përmirësime. Muajin e kaluar, presidenti Macron njoftoi një projekt restaurimi gjashtëvjeçar, që përfshin një hyrje të veçantë për ta parë Mona Lizën. Shumica e vizitorëve për herë të parë ndjekin 10 ndalesat më të famshme, si Mona Liza, Venera e Milos dhe Nikeja e Samotrakës. Kam zgjedhur t’i përjashtoj këto nga lista ime personale, si dhe 30 veprat e tjera të rekomanduara në hartën zyrtare të muzeut, duke supozuar se vizitorët do t’i kërkojnë sipas preferencave të tyre.
Zgjedhjet e mia reflektojnë shijet e mia personale, por secila prej tyre është një kryevepër e padiskutueshme, që demonstron cilësinë e Luvrit në çdo fushë.
1. Busti i Akhenatonit (1352–1335 p.e.s.)
Më shumë se tre mijë vjet i vjetër, ky fragment prej guri, me fytyrën dhe mjekrën e zgjatur, sytë si bajame dhe buzët e trasha, është aq nxitës, aq abstrakt, saqë e bën kohën të tkurret, duke sjellë në mendje Modiglianin ose skulpturën kubiste. Akhenatoni ishte faraoni që, pavarësisht kundërshtimeve, futi monoteizmin – adhurimin e vetëm të diellit – dhe urdhëroi një stil të ri arti, të stilizuar dhe emocional, për ta pasqyruar këtë. Për mua, kjo figurë androgjene, gati gjeometrike, me duart e kryqëzuara në gjoks dhe një shprehje të dykuptimtë – kryelartë, dyshues, mbushur me vendosmëri të brendshme – është personazhi më enigmatik i Luvrit.
2. Lamasutë (720–705 p.e.s.)
Nën dritën natyrore që hyn përmes kupolës prej xhami, Korsabadi strehon mbetjet e një qyteti të ndërtuar nga mbreti asirian Sargon II, pranë Mosulit të sotëm. Është një evokim i jashtëzakonshëm i një oborri në pallatin e pamasë të Sargonit, i cili ruhej nga këto bisha madhështore hibride, secila e gdhendur nga një bllok i vetëm alabastri 28 tonësh. Duke kombinuar fuqitë mbrojtëse të kafshëve të ndryshme, Lamasutët kanë trupa dhe veshë demash, krahë shqiponje dhe fytyra njerëzore, me vetulla të trasha kërcënuese, por një buzëqeshje të lehtë. Gdhendja ekspresive e leshit, pendëve dhe flokëve, e përsëritur në mënyrë dramatike, u jep atyre jetë dhe monumentalitet – ato janë njëkohësisht magjepsëse dhe madhështore.
3. Centauri i Vjetër (100–200 e.s.)
Skulpturat e mermerit të bardhë, kryesisht kopje romake të origjinaleve greke, që nga shekulli XVII shkëlqejnë në Sallën e Kariatidave. Midis shumë krijesave intriguese, Centauri i Vjetër, me kokën e tij njerëzore të rregulluar në një kënd të papritur kah Kupidi ngacmues i hipur mbi shpinën e tij, është gjithnjë tërheqës: një metaforë për moshën dhe rininë, mundimet e dashurisë, natyrën e pazbutur përballë civilizimit.
4. Madona e Kancelarit Rolin (1435) nga Jan van Eyck
Piktura e Rilindjes Veriore shpesh anashkalohet në Luvër; megjithatë, ekspozita speciale e vitit të kaluar, kushtuar kësaj vepre misterioze dhe magjepsëse, i dha asaj vëmendjen e merituar. Kontrastet e saj të çuditshme – kancelari tokësor, i rryer dhe karizmatik, përshkruhet guximshëm në të njëjtën madhësi si Virgjëresha; qyteti burgundian i miniaturizuar në sfond që duket si një botë ideale; lozha italiane që hapet drejt një kopshti të vogël dhe enigmatik – e bëjnë këtë vepër një ndërthurje të mrekullueshme mes iluminimit mesjetar dhe agimit të natyralizmit flaman.
Komente