Banorët e Zborcit të Shtimes me protestë kundërshtojnë lokacionin për ndërtimin e objektit të Entit Special

Dhjetëra banorë të fshatit Zborc të Komunës së Shtimes, përmes një proteste kanë ndaluar fillimin e punimeve të objektit të ri të Entit Special.
Ky projekt , sipas banorëve po ndërtohet afër shtëpive të banimit në një lokacion të pa përshtatshëm, ndërkohë janë ankuar se nuk kanë pranuar asnjë sqarim nga institucionet komunale lidhur me sigurinë e këtij institucioni.
Banorët e këtij fshati, disa javë më parë kanë dorëzuar edhe një peticion me mbi 200 nënshkrime për ta kundërshtuar lokacionin e këtij projekti.
Arsim Kadriu, banor nga fshati Zborc, ka thënë se banorët po e kundërshtojnë këtë projekt në këtë lokacion duke i ditur pasojat në të ardhmen që mund t’i sjellin pacientët e Entit Special.
Sipas tij, komuna nuk i ka shqyrtuar ankesat dhe peticionet e banorëve, prandaj kanë dalur edhe fizikisht për ta kundërshtuar atë.
“Ne nuk e kemi asnjë informacion lidhur me këtë projekt. Nuk e dimë sa është siguria e projektit, sa është hapësira e projektit. Kemi kërkuar nga komuna informacion se çfarë projekti po realizohet sepse mund të ndihemi të turpëruar sepse ndoshta është një projekt i mirë, por që banorët nuk kemi asnjë informacion. Pra, si banorë jemi të shqetësuar lidhur me këtë projekt sepse ndihemi të rrezikuar për faktin e llojit të pacientëve që do të trajtohen në këtë objekt”,ka thënë Kadriu.
Sipas tij, kryetari i komunës gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se ky projekt do të realizohet në një lokacion tjetër, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Ky projekt po fillon afër shtëpive të banimit dhe ndihemi të rrezikuar , prandaj sot vjen për inaugurim të fillimit të punimeve edhe Kryeministri Albin Kurti, prandaj nuk e di se si do të reagojmë me gjithë respektin ndaj tij. Mund të reagojmë në ndonjë mënyrë që nuk na ka hije si banorë, por kjo mund të ndodh për shkak të mungesës së informacionit për këtë projekt”, ka shtuar Kadriu.
Komente