Anulohet vendimi për ndërtimin e restaurantit në Parkun Liria në Ferizaj

Komuna e Ferizajit ka njoftuar se është anuluar vendimi i Agjensisë së Pyjeve për lejen e dhënë për ndërtimin e një restoranti në Parkun Liria.
“NDËRPRITET Kontrata për qira nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës si dhe ANULOHET vendimi për punimet për ngritjen e objektit të përkohshëm – Restaurant në Parkun Liria.
Le të shërbej ky rast, që Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministritë përkatëse dhe agjencionet në vartësi të Qeverisë, të mos japin pëlqime, leje apo të ndërmarrin veprime të tilla, pa konsultuar paraprakisht Komunën përkatëse, në rastin konkret Komunën e Ferizajt.
Pas kërkesave tona të vazhdueshme, betejave të shumta të Komunës pranë institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve qendrore, sot Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Agjencia e Pyjeve të Kosovës, mori VENDIM për NDËRPRERJEN e Kontratës për qira me personin privat Naim Gashi, që parashihte ngritjen e një objekti të përkohshëm – restaurant në Parkun e Lirisë – pronë nën menaxhimin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.
Gjithashtu, edhe Komuna, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit, sot ka anuluar vendimin e datës 16.12.2024, për Leje ndërtimore për parcelën përkatëse sipas kërkesës së z. Naim Gashi.
Me këtë vendim, mbrohet Parku i Lirisë, duke pamundësuar zhvillimin e punimeve të personit privat në këtë hapësirë publike me interes të jashtëzakonshëm për qytetarët.
Falënderojmë qytetarët, organizatat e shoqërisë civile e të gjithë të angazhuarit në këtë qëllim, që forcuan zërin e Komunës pranë institucioneve qendrore për ndërprerjen e kësaj kontrate qiraje të dhënë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Agjencia e Pyjeve për person privat” thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajit./
Komente