Trump ka të ngjarë t’i jap TikTok një afat 90-ditor, a po shpëton aplikacioni nga ndalimi?

Donald Trump ka thënë se ai “me shumë gjasa” do t’i japë TikTok një pushim 90-ditor nga një ndalim që do të hyjë në fuqi të dielën, në prag të betimit të tij si presidenti i 47-të i SHBA-së.
Bëhet e ditur se kjo deklaratë vjen pasi platforma paralajmëroi se do të ndalonte funksionimin nëse administrata Biden nuk jep garanci se ndalimi nuk do të zbatohet.
Gjykata Supreme të premten mbështeti një ligj që ndalon aplikacionin në SHBA, nëse kompania e saj mëmë me bazë në Kinë, ByteDance, nuk e shet platformën deri më 19 janar.
Por, ByteDance ka refuzuar të kërkojë një blerës.
Ndërkohë, TikTok tha se Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Drejtësisë kishin “dështuar të ofrojnë qartësinë dhe sigurinë e nevojshme për ofruesit e shërbimeve që janë integrale për ruajtjen e disponueshmërisë”.
Megjithatë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha se paralajmërimi i TikTok ishte “një marifet”.
“Ne nuk shohim asnjë arsye që TikTok ose kompanitë e tjera të ndërmarrin veprime në ditët e ardhshme përpara se administrata Trump të marrë detyrën të hënën”, tha ajo.
“Ne e kemi paraqitur qëndrimin tonë në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë: veprimet për zbatimin e këtij ligji do t’i nënshtrohen administratës së ardhshme. Kështu që TikTok dhe kompanitë e tjera duhet të marrin çdo shqetësim me ta”, shtoi Jean-Pierre.
Trump së fundmi ka biseduar me presidentin e Kinës Xi Jinping – edhe për TikTok ndër tjera, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Ndërsa shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew pritet të jetë në mesin e drejtuesve të teknologjisë në inaugurimin e Trumpit
Komente