Sekuestrohen mbi 16 mijë franga false në Han të Elezit, arrestohet shtetasi i Maqedonisë së Veriut

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një tentim të futjes në vend të monedhave të dyshuara të falsifikuara me vlerë mbi 16 mijë franga zvicerane.
Ngjarja ka ndodhur më 12 korrik 2025, rreth orës 21:15, në pikën kufitare Hani i Elezit – hyrje.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës thuhet se është ndaluar për kontroll një veturë e tipit Audi A2, ngjyrë e gjelbër metalike, me targa të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), e cila drejtohej nga shtetasi i Maqedonisë së Veriut, me iniciale S. Xh., i lindur më 1981 në Shkup.
“Pas kontrollit të dokumentacionit në vijën e parë, automjeti është selektuar për kontroll të detajuar, ku nën ulëset e përparme të veturës janë gjetur qese plastike të vendosura në pjesë të ndryshme të automjetit, të mbushura me monedha metalike 2 franga zvicerane (CHF), të dyshuara si të falsifikuara”, njofton policia.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e hetuesisë, ndërsa pas inventarizimit paraprak, rezulton se janë sekuestruar gjithsej 8,076 monedha x 2 CHF = 16,152 CHF, të gjitha të dyshuara si të falsifikuara.
Prokurori për Krime të Rënda ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, ndërkohë që ndaj tij është iniciuar rasti penal për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Vetura dhe monedhat e dyshuara janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa rasti i është dorëzuar njësisë kompetente të hetimeve rajonale për procedura të mëtejshme.
Policia e Kosovës rithekson angazhimin për luftimin e krimit financiar dhe atij ndërkufitar.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar, me fokus të veçantë ndaj veprave penale që cenojnë sistemin financiar dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftim.
Komente