Riparohet pjesa e rrugës së shumëpërfolur në drejtim të Jezercit

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 11 Prill, 2025

Komente


Riparohet pjesa e rrugës së shumëpërfolur në drejtim të Jezercit

Pak ditë pas reagimit të qytetarëve dhe shoqërisë civile se rruga 6 klometërshe në drejtim të Jezercit është dëmtuar, komuna ka angazhuar menjëherë kompaninë e cila e kishte për mbikëqyrje projektin. Këto investime muaj më parë i patën kushtuar nivelit lokal dhe qendror mbi 5 milion eurosh.

Meriton Hajdini, drejtor për Infrastrukturë në Komunën e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se rruga e cila është përfolur mjaftë shumë gjatë ditëve të fundit në drejtim të Jezercit është riparuar menjëherë.


Sipas tij kohë më parë në atë lokacion kishte ndodhur një aksident komunikacioni dhe si pasojë ishte dëmtuar rruga.



“Në atë lokacion ku është dëmtuar rruga, ka pasur aksident të komunikacionit, ndërkohë ka pasur reagime nga qytetarët e shoqëria civile. Por, ne si komunë menjëherë e kemi angazhuar kompaninë e cila e ka ndërtuar këtë aks të rrugës dhe e ka riparuar atë në kuadër të mirëmbajtjes së projektit, pasi që ky projekt ende ka afate kohore për mirëmbajtje nga kompania. Pra aty është dëmtuar rruga shkaku i aksidentit dhe jo shkaku i punimeve jo cilësore siç është pretenduar nga disa individ”, ka sqaruar Hajdini.

Organizata “Avonet”nëpërmjet një reagimi ka kritikuar komunën se rruga në drejtim të Jezercit në vlerë mbi 5 milion euro, është dëmtuar.

“Kjo është në fshatin Jezercë – aty ku po zbatohet një kontratë me vlerë mbi 5 milion eurosh. Pikërisht në këtë rrugë ka humbur jetën një punëtor, si pasojë e mungesës së sigurisë në punë. Dhe çfarë ndodhi më pas? Policia e Kosovës dhe Prokuroria e shtetit e cilësuan rastin si vetëaksident. Kjo është fytyra e drejtësisë sonë, kur përballë milionave, jeta e një punëtori trajtohet si një statistikë pa zë”, ka thënë nëpërmjet reagimit drejtori i kësaj organizate Kenan Gashi.

Sipas tij, në këtë segment rrugor mungon muri mbrojtës prej betoni i cili është i domosdoshëm për të garantuar siguri. 

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj