Prej disa ditësh ngec shërbimi i mbeturinave në Lipjan

Qytetarët në komunën e Lipjanit gjatë ditëve të fundit po përballen me mungesë të shërbimeve të mbeturinave. Kjo për shkak se kompania “Pastrimi” ka mbetur pa karburante, derisa niveli qendror i kësaj kompanie nuk i kishte realizuar pagesat ndaj kompanisë “Hib Petrol” e cila ishte e kontraktuar si furnizuese për karburante.
Me gjendje të rëndë të mbeturinave po përballen edhe lokalitetet e mëdha si Shala, Gadimja, Sllovia, dhe të tjerat.
Rreth kësaj çështje të hënën kanë reaguar anëtarët e subjektit të PDK-së në Lipjan që vijnë nga lokalitete të ndryshme të kësaj komune.
Argjent Tasholli, anëtari i kryesisë së PDK-së, njëherësh banor nga Gadimja, ka thënë për Telegrafin se është shqetësuese që mbeturinat mos të pastrohen me ditë të tëra.
“Të gjithë jemi taksapagues të rregullt të mbeturinave dhe të gjitha faturave tjera, por shërbimet nuk po realizohen me kohë siç e kemi rastin e mbeturinave. Ne nuk i dimë arsyeje e kësaj ngecje të shërbimeve për mbeturina, por i bëjmë thirrje kompanisë që të jenë të përgjegjshëm dhe ta respektojnë orarin e marrjes së mbeturinave”, ka thënë Tasholli.
Po ashtu edhe Lumturije Hasani Bytyqi, kuvendare nga radhët e PDK-së, njëherësh banore e Shalës, ka thënë se qytetarët e Shalës prej disa ditësh po përballen me kundërmim të mbeturinave, ani pse janë taksapagues të rregullt ndaj kompanisë “Pastrimit”.
“Për çdo ditë jemi duke pranuar ankesa nga banorët e lokaliteteve të ndryshme, por edhe nga banorët e Shalës, Sllovisë e të tjera. Me ditë të tëra kontinierët po qëndrojnë para shtëpive pa u pastruar. Nuk e di nëse kjo është sabotim apo neglizhencë por është e pa pranueshme që kompania ‘Pastrimi’ të zvarritë shërbimin për të cilën qytetarët paguajnë rregullisht, shërbim mjaft esencial për jetën e tyre. Nga ana tjetër është shqetësuese heshtja e Komunës karshi sabotimit të Kompanisë përderisa komuna në vazhdimësi ka kryer obligimet e saj financiare”, ka thënë Hasani.
Në anën tjetër, Telegrafi ka kontaktuar edhe me drejtorin e kompanisë “Pastrimi”në Lipjan Xhelal Krasniqi, i cili ka sqaruar se kanë pasur disa telashe me furnizim të karburanteve, por shpreson se shumë shpejt do të stabilizohet gjendja.
“Kem problem me furnizim me derivate nga operatori i kontraktuar “Hib Petrol”, për shkak që kompania “Pastrimi” në Prishtinë është vonuar në realizim të pagesave për karburante”, ka thënë shkurt Krasniqi.
Komente