Pesë qytetarë nga Kroacia ecin për një muaj në këmbë për pelegrinazh në vendlindjen e tyre në Letnicë të Vitisë

Një grup prej pesë vetave nga Kroacia me prejardhje nga Kosova, kanë ndërmarrë një pelegrinazh në këmbë nga Kroacia drejtë Letnicës së Vitisë, për të nderuar të parët e tyre që dikur jetuan në Kosovë. Për rreth një muaj duke ecur në këmbë, ata kanë pasur një moto që “njerëzit të jenë të bashkuar” të jenë të lumtur dhe të jetojnë për paqe.
Atyre iu bashkua edhe Shaip Korrani nga komuna e Vitisë i cili përshkoi kilometra të tëra nga Mali i Zi deri në Viti, duke qenë pjesë e kësaj përvoje unike të trashëgimisë dhe përkushtimit shpirtëror. Ky udhëtim simbolizon lidhjen e fortë me rrënjët, sakrificën dhe respektin për të kaluarën.
Çeshko Matiq, banor nga Kroacia me prejardhje prej rrethit të Letnicës, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se në ditën e 29-të të ecjes, arritën në qytetin e Ferizajt, për të vazhduar më tej drejt Letnicës së Vitisë.
“Familjarët tanë prej vitit 1919 kanë filluar të ikin nga Kosova dhe kanë shkuar në Kroaci. Ndërkaq, tash për të ardhur në Kosovë ky grup kemi menduar para shumë vitesh se si të shkojmë dhe si të organizohemi e të tjera. Letnica është për neve vendi më i bukur sepse aty kemi lindur, jemi pagëzuar jemi rritur dhe kemi shumë përshtypje të mira. Ne jemi nisur më 4 mars dhe gradualisht kemi arritur deri këtu duke ecur në këmbë. Kemi ardhur për pelegrinazh dhe jemi lutur vazhdimisht për të gjithë popujt dhe për të gjitha ata që nuk mund të lëvizin në këmbë dhe jemi lutur që mos të ketë luftëra por të gjithë popujt të kalojnë sa më mirë dhe të gjithë të jemi të gëzuar”, ka thënë midis të tjerash Matiç.
Ndërkaq, Shaip Korrani nga komuna e Vitisë i cili kishte pasur kontakte edhe më herët me këtë grup, kishte dalë në kufi me Malin e Zi duke iu bashkangjitur grupit në drejtim të Letnicës,
“Këta janë qytetarë nga fshatrat afër Letnicës e që shtëpitë e tyre janë të braktisura prej kohësh. Sot është dita e 29-të që janë nisur. Unë i kam pritur në kufi të Malit të Zi dhe kemi ardhur në këmbë. Për mua është dita e tetë që po ecim, ka pasur të reshura të shiut por nuk neve nuk na ka penguar. Këta kanë ardhur për pelegrinazh në Letnicë sepse aty i kanë varrezat e të parëve të tyre. Këta gjatë rrugës janë lutur për paqe, të jenë njerëzit e bashkuar dhe kjo ka qenë motoja e tyre”, ka thënë Korrani.
Sipas tij, kjo do t’i shtynë edhe të tjerët që të vijnë për Pelegrinazh këtu në Letnicë.
“Ne si popull, me kroatët gjithmonë e kemi kaluar mirë, ata para shumë dekadash kanë ikur për shkak të presionit të Serbisë dhe të gjitha ato fshatra kanë mbetur të zbrazura. Ky grup ka pasur dëshirë që ta vizitojnë vendlindjen, por edhe varrezat e të parëve të tyre”, ka thënë më tej Korrani.
Komente