Maloku në Hagë: Është e vështirë ta kuptosh UÇK-në, Ushtri që u ngrit prej popullit të robëruar

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, dëshmitari Naim Maloku deklaroi se është e veshtirë që të kuptohet funksionimi i një ushtrie që është ngritur nga populli i robëruar siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Këtë deklarim, Maloku e bëri të mërkurën në ditën e tretë të dëshmisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Është vështirë me e kuptu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Është vështirë me e kuptu një ushtri që ngritet prej një populli të robnuem, në ushtri vullnetare, në ushtri të rregullt. Kjo ka qenë që na ka ba bashkë, qëllimi jonë për çlirimin e Kosovës”, tha Maloku duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon.
Kur u pyet për Mensur Kosumin, Maloku tha se nuk e ka ditur që personi në fjalë ka qenë shef i zbulimit.
“Me tregu të drejtën, për pozitën e tij që e ka pasur si shef zbulimi nuk e kam ditë”, tha Maloku.
Dëshmitari, të martën, për prokurorinë ka thënë se Faton Mehmetaj ka qenë epror i Sektorit të Zbulim Kundërzbulimit në Zonën e Dukagjinit.
“Në ato njësi ku kam qenë, në ato takime dhe ato inspektime që i kam bërë, unë nuk e kam pa atë kurrë që të marrë pjesë. Ai ka pas punë tjetër… nuk kam has kurrrkund me punët që ka pas Faton Mehmetaj, nuk ka pas pikë-kryqëzim askund”, tha Maloku për Mehmetajn.
Dëshmitarit iu prezanua deklarata e Faton Mehmetajt për ZPS-në, ku kishte thënë se detyrën si udhëheqës në sektorin e ZKZ-së e ka mbajtur vetëm dy muaj dhe në këtë pozitë pas tij erdhi një person tjetër.
Po ashtu, atij iu prezantua një dokument që thuhej se është lëshuar nga sektori i ZKZ-së, por që dëshmitari tha se nuk e di se kush është autori.
Sipas Dixonit, ky dokument përmbante informacione për punën dhe veprimtarinë e Malokut, gjë për të cilën ky i fundit tha se e ka parë për herë të parë këtë material në Hagë.
Malokut më pas iu prezantua procesverbali i një mbledhjeje të 30 janarit 1999, ku ishte pjesëmarrës një person me emrin Lulzim Morina, për të cilin dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse ai ishte bërë komandant i Brigadës 135.
Ai tha se emërimi i Morinës në këtë brigadë mund të jetë bërë pas muajit maj të 1999-s.
Dokumenti i radhës që iu shfaq dëshmitarit, ishte një urdhëresë e 22 marsit 1999, e nënshkruar nga Lulzim Morina si komandant i brigadës në fjalë. Maloku tha se nuk e njeh nënshkrimin e tij, por që sipas tij, dokumenti s’ka asnjë shenjë që është i Zonës Operative të Dukagjinit.
Komente