Lufta e Madhe në 4-5 vite? Shefi i NATO-s: Europë zgjohu, s’jemi gati për çka po vjen!

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 12 Dhjetor, 2024

Komente


Lufta e Madhe në 4-5 vite? Shefi i NATO-s: Europë zgjohu, s’jemi gati për çka po vjen!

“Evropa duhet urgjentisht të zgjohet nga gjumi dhe të shpenzojë shumë më shumë për mbrojtjen e saj, duke parë kërcënimin rus.”

Kjo është thirrja më e fundit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke pranuar se unioni është i papërgatitur përballë forcës së Moskës.

“Ne nuk jemi gati për atë që do të na vijë pas katër apo pesë viteve”, tha Shefi i NATO-s, duke shtuar se “është koha për të kaluar në një mentalitet të kohës së luftës dhe për të rritur prodhimin tonë të mbrojtjes dhe shpenzimet e mbrojtjes”.

Në fjalimin e tij kryesor, Rutte bëri thirrje për mbështetje publike dhe një ndjenjë sakrifice për të “parandaluar luftën tjetër të madhe në tokën e NATO-s”.

Ky apel zyrtar i kreut të Aleancës së Atlantikut të Veriut vjen në një kohë kur forcat ukrainase po tërhiqen në fushën e betejës përballë ushtrisë më të madhe dhe më të pajisur ruse.

“Lufta në Ukrainë po shkakton më shumë se 10,000 vdekje dhe lëndime nga të dyja palët çdo javë”, nënvizoi Rutte. “Rreziku po na afrohet me shpejtësi të madhe”, paralajmëroi ai duke iu referuar kërcënimit rus në kontinentin evropian.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë mund të ndodhë edhe këtu. Edhe pse nuk ka kërcënim të menjëhershëm ushtarak kundër NATO-s, kjo nuk e pengon Rusinë të përgatitet për një konfrontim afatgjatë me Ukrainën dhe me ne, 32 vendet e NATO-s”, këmbënguli ish-kryeministri holandez.

Ai theksoi se “ekonomia ruse është në gjendje lufte”, ndërsa në Evropë, shtetet hezitojnë të shpenzojnë më shumë për të rritur aftësitë e tyre mbrojtëse.

“Dhe përveç Rusisë, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut po punojnë shumë për të dobësuar Amerikën e Veriut dhe Evropën. Ne duhet të jemi të qartë për ambiciet e Kinës kur ajo rrit ndjeshëm forcat e saj, përfshirë armët e saj bërthamore, pa kufij dhe me paqartësi”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj