Kuvendi i Kosovës sot tenton për të 35-ën herë të konstituohet

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 21 Qershor, 2025

Komente


Kuvendi i Kosovës sot tenton për të 35-ën herë të konstituohet

Pas dështimeve të njëpasnjëshme, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet edhe sot në përpjekjen e 35-të për konstituim të legjislaturës së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Seanca është caktuar të nisë nga ora 10:30.

Në seancën e para dy ditëve, mungoi kuorumi për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që e propozoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari. Kjo ishte hera e 26-të që dështoi formimi i këtij komisioni përmes të cilit partia e parë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, synoi të zëvendësojë hedhjen në votim të kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, meqë për disa seanca radhas s’arriti t’i merrte votat e nevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk propozuan nga një anëtar për formimin e këtij komisioni.


Edhe pas dështimit të 34-të partitë politike në prononcimet pas seancave nuk dhanë shenja se do të ketë ndryshim qëndrimesh.

Kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dërguar për interpretim nga partitë tjera rreth ndryshimit të votimit nga i hapur në të fshehtë dhe akuzoi gjykatën se është vonuar.




Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj