Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e degës së Bankës Ekonomike në Leposaviq

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 16 Janar, 2025

Komente


Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e degës së Bankës Ekonomike në Leposaviq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në hapjen e pikës më të re dhe të parë në Leposaviq të Bankës Ekonomike, ku i pranishëm ishte dhe kryetari i komunës, Lulzim Hetemi.

Nga atje, kryeministri Kurti u shpreh se dega më e re e Bankës Ekonomike do të ofrojë të gjitha shërbimet që janë të hapura për qytetarët dhe për bizneset, sikurse kryerja e pagesave, transferet e kreditimi.

“Në këtë mënyrë ka mundësi që gjithçka të kryhet në mënyrë legale dhe transparente në përputhje me ligjin, me kushtetutshmërinë dhe me rregullat e të bërit biznes, të financave dhe të bankimit në republikën tonë”, deklaroi kryeministri.

Ai shprehu falënderime për kryetarin e Komunës, Lulzim Hetemi dhe drejtuesit e Bankës Ekonomike, Shpend Luzha e Rrahim Pacolli, të cilët në muajt e fundit kanë punuar për realizimin me efikasitet dhe shpejtësi të degës së re që do të ofrojë shërbime tejet të rëndësishëm për qytetarët pa dallim, e me investime të teknologjisë së fundit.


Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Bankës Ekonomike, Shpend Luzha, u shpreh i lumtur me rastin e hapjes së degës së 33-të të Bankës Ekonomike, e cila do t’i mundësojë të gjithë qytetarëve të Komunës së Leposaviqit qasshmëri më të lehtë në financa nëpërmjet prezencës fizike.

“Kjo nuk do të ishte e mundshme pa përkrahjen e institucioneve publike, siç janë organet e rendit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Posta e Kosovës, që na ka mundësuar që në kohë rekord të hapim këtë degë që është degë moderne me investime të teknologjisë më të re”, përmbylli kryeshefi Luzha duke ritheksuar falënderimet e tij për kryeministrin Kurti dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Pronocimi i kryeministrit Kurti:

Ditë e mirë për qytetarët e Leposaviqit, për banorët që jetojnë e punojnë këtu dhe për shtetin tonë e për ekonominë e vendit tonë, meqenëse u hap dega e Bankës Ekonomike, e cila do të mundësojë që të kryhen pagesat, transferet, po ashtu edhe kreditimi dhe në këtë mënyrë, të gjitha shërbimet do të jenë të hapura për qytetarët dhe për bizneset, në mënyrë që të përfitojnë edhe familjet, edhe ndërmarrësia.

Unë e falënderoj shumë kryetarin e komunës, Lulzim Hetemi, por gjithashtu edhe pronarët e drejtuesit e Bankës Ekonomike, Shpend Luzhën e Rrahim Pacollin, që kanë punuar në këta muajt e fundit në mënyrë që të realizohet me efikasitet dhe shpejtësi kjo mundësi e re, ky shërbim tejet i rëndësishëm për qytetarët, pa dallim.

Në këtë mënyrë ka mundësi që gjithçka të kryhet në mënyrë legale dhe transparente në përputhje me ligjin, me kushtetutshmërinë dhe me rregullat e të bërit biznes, të financave dhe të bankimit në Republikën tonë.



 



Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj