Kriza politike, Koci paralajmëron vazhdimin e protestës para Kuvendit

Avokati, Arianit Koci ka paralajmëruar që edhe nesër do të vazhdoj me aksionin e tij para Kuvendit të Kosovës, për shkak të situatës së krijuar.
Në një postim në Facebook, Koci ka shkuar se qëndrimi i tij do të jetë i pandërprerë gjatë tërë javës.
“Të hënën, më 9 qershor 2025, në ora 10:45, vazhdoj me protestë para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qëndrimi im do të jetë i pandërprerë gjatë gjithë javës – ditën dhe natën (flej para Kuvendit) – deri të premten, pas përfundimit të seancës. Do të largohem vetëm për gjykime apo angazhime profesionale të pashmangshme, që lidhen me mbrojtjen ligjore të klientëve”,ka shkruar Koci.
Ai ka shtuar se ky përjashtim nuk e zbeh protestën – përkundrazi, e bën më të qartë dallimin midis përmbushjes së përgjegjësive dhe mosveprimit institucional.
Koci ka theksuar se kërkesa është e vetme dhe e qartë,funksionalizimi i Kuvendit.
“Zvarritja nuk është më çështje politike. Është një formë e paralizës institucionale që po dëmton besimin qytetar, ekonominë dhe funksionimin e shtetit. Shteti po shkatërrohet!”, ka shkruar Koci.
Koci ka njoftuar gjithashtu se këtë javë është një prej gjykimeve më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës: gjykimi i personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjska, ku u vra në detyrë, duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës – heroi polici Afrim Bunjaku.
Komente