Kosharja vendi ku mori formë identiteti shqiptar

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 9 Prill, 2025

Komente


Kosharja vendi ku mori formë identiteti shqiptar

Dr. Elmi Berisha, kryetar i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” të Amerikës

Kosharja nuk është thjeshtë një emër në historinë tonë kombëtare, ajo është altar i lirisë, është pika ku sakrifica njerëzore u ngjit në përmasën më të lartë të nderit dhe ku kombi ynë rifitoi vetëdijen e forcës së vet. Është vendi ku u shfaq për herë të parë, me forcë dhe dinjitet, subjekti i vërtetë historik shqiptar: njeriu që nuk i nënshtrohet, që lufton, që organizohet dhe që fiton.

Një vit më parë, në këtë vend të shenjtë, bashkë me vëllezërit e armës komandantët Rrustem Berisha, Hisen Berisha, Musa Gjakova dhe Fadil Hadërgjonaj – u përkulëm para varreve të 114 dëshmorëve që ranë në betejën më të lavdishme të historisë moderne shqiptare. Ishte një përjetim i thellë shpirtëror. Toka dhe qielli flisnin shqip. Flisnin me zërin e Agim Ramadanit, me guximin e Sali Çekut, me qëndresën e çdo luftëtari që e shihte Kosovën të lirë para se të mbyllte sytë.

Për mua, Kosharja nuk është vetëm një kujtim i lavdisë, por një pjesë e jetës. Nuk e kam parë luftën si një ngjarje që ndodhte diku tjetër por unë e kam jetuar, e kam përjetuar dhe e kam ndihmuar nga afër. Kam pasur nderin të jem pjesë e asaj përpjekjeje madhështore në të gjitha dimensionet që ajo kërkonte: në organizim, në bashkërendim, në mobilizim dhe në lobim. Në çdo takim me zyrtarët amerikanë, në çdo veprim në emër të diasporës, në çdo ndihmë që i jepnim UÇK-së, e dija se po vepronim për jetën e një populli, për të ardhmen e një kombi.

Në atë kohë, përmes Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, bashkë me vëllezër të tjerë të përkushtuar, punuam ditë e natë për të ngritur zërin e shqiptarëve në të gjitha tribunat ndërkombëtare, për të shpjeguar drejtësinë e luftës sonë, për të siguruar përkrahjen vendimtare të SHBA-ve. Dhe ajo mbështetje nuk mungoi. Lufta jonë ishte e drejtë, ishte morale dhe ishte historike. Ne kishim të drejtën dhe kishim vullnetin, u desh vetëm që bota ta dëgjonte këtë të vërtetë. Ishte detyra jonë ta bëjmë këtë dhe e bëmë.

Në këtë kohë të lavdishme pata fatin të shërbej si këshilltar politik dhe për inteligjencë i Ministrit të Luftës, komandantit Ahmet Krasniqi një figurë që nuk ishte vetëm organizator ushtarak, por edhe një strateg me vizion të qartë për çlirimin e Kosovës. Ai besonte thellësisht në ndërtimin e një ushtrie të strukturuar, në një qëndresë të disiplinuar dhe në një projekt kombëtar që do të tejkalonte kufijtë e momentit të luftës, duke u shndërruar në një vizion afatgjatë për ardhmërinë shqiptare.

Isha me fat që, para tij, dhashë betimin më të shenjtë në jetë betimin për çlirimin e atdheut. Kujtimi dhe vizioni i kolonel Ahmet Krasniqit mbeten të paharrueshëm dhe të gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare. Ai ishte një model frymëzimi për të gjithë ne që kishim marrë mbi supe amanetin e madh të historisë sonë: çlirimin dhe ribashkimin kombëtar.

Jam krenar që, përveç këtij roli, pata gjithashtu përgjegjësinë për logjistikën në një kohë kur çdo hallkë e angazhimit tonë ishte vendimtare për lirinë që sot e gëzojmë.

Kosharja ishte kthesa. Ishte momenti ku u thye frika dhe u ringrit shpresa. Ishte vendi ku mori formë identiteti shqiptar: krenar, i vetëdijshëm dhe i vendosur. Ajo që ndodhi atje nuk ishte vetëm një betejë – ishte një manifest kombëtar. Ishte thirrja e përjetshme që “me paqe ose me luftë, Kosova është e jona”. Dhe Kosova u bë. Sepse kishte njerëz që nuk iu trembën sakrificës.

Sot, Kosharja është motivi ynë. Është busulla jonë morale. Na tregon drejtimin kur politika na çorodit, kur përçarja na dobëson, kur interesa të vogla na ndajnë. Kosharja është dritë, ajo ndriçon përpara dhe na kujton se kur jemi bashkë, fitojmë. Kur jemi të ndarë, humbasim gjithçka për të cilën ata ranë.

Jam krenar që isha pjesë e kësaj historie. Jam krenar që kontributi im dhe i “Vatrës” u bë pjesë e kësaj përpjekjeje epike. Jam krenar që isha bashkë me ata që dhanë gjithçka – dhe sot, përulësisht, e ndjej detyrën që t’u qëndroj besnik idealit të tyre.

Lavdi përjetë dëshmorëve të Koshares. Lavdi të gjithë atyre që me armë, me mendje dhe me shpirt ndërtuan themelet e shtetit të lirë të Kosovës.

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj