Jack Smith jep dorëheqje nga Departmaneti amerikan i Drejtësisë

Këshilltari special, Jack Smith, i cili ka përfunduar punën rreth dy hetime penale ndaj presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka dhënë dorëheqje nga Departamenti i Drejtësisë.
Lajmi për largimin e Smith u bë i ditur përmes një dokumenti të dorëzuar nga zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë në Gjykatën Distriktuale të SHBA-së, gjegjësisht gjykatëses, Aileen Cannon.
Ata i bënë thirrje asaj që të mos e zvarrit urdhërin e gjykatës, duke bllokuar përkohësisht publikimin e raportit përfundimtar për Trumpin që Smith ia dorëzoi drejtuesve të departamentit. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë argumentojnë se urdhri i Cannonit ka tejkaluar autoritetin e saj dhe se ajo nuk ka fuqi të ndalojë Prokurorin e Përgjithshëm, Merrick Garland të publikojë gjetjet e Smithit. Kjo ndalesë është e vlefshme deri të hënën.
Garland ka thënë se planifikon të publikojë vetëm pjesën e raportit të Smithit që trajton hetimin mbi përpjekjet e Trumput për të përmbysur zgjedhjet e 2020-ës, shkruan politico.
Ai ka deklaruar në dokumente gjyqësore se ka rënë dakord me rekomandimin e Smithit për të mbajtur të fshehtë pjesën tjetër të raportit, që lidhet me hetimin mbi posedimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trump në Mar-a-Lago pas largimit nga detyra në vitin 2021. Kjo pjesë do të shpërndahet vetëm te një grup i kufizuar anëtarësh të Kongresit amerikan për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme për të rinisur një çështje penale kundër dy aleatëve të Trumpit dhe ish-bashkëpandehurve të tij.
Dorëheqja e Smith përpara përfundimit të mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden ishte e pritshme dhe ishte parashikuar nga zyrtarë të tjerë të Departamentit të Drejtësisë. Trump ka kërkuar vazhdimisht që Smith të ndiqet penalisht për trajtimin e çështjeve kundër tij dhe madje ka sugjeruar që ai të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara.
Komente