Haxhiu: Nuk po e kuptoj pse s’po votojnë, votimi i fshehtë shfrytëzohet edhe për zgjedhjen e Presidentit

E propozuara e Vetëvendosjes për Kryetare Kuvendi, Albulan Haxhiu, ka folur pas dështimit të seancës për konstituim të Kuvendit, e dështimit të njëpasnjëshëm për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Haxhiu tha se nuk e kupton pozicionin e partive që s’morën pjesë në votimin për Komision që të ndryshohet forma e votimit në të fshehtë, duke thënë se kjo formë e votimit shfrytëzohet edhe për zgjedhjen e Presidentit, shkruan Reporteri.net.
“I paqartë pozicioni i tyre që fare nuk marrin pjesë në votim për Komisionin në mënyrë që të vazhdojmë edhe votimin e fshehtë. Është votim shumë demokratik për shumë institucione në Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe presidentin si me thanë shfrytëzohet ose parashihet votimi i fshehtë, prandaj nuk e kuptoj këtë pozicion”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se shpreson që partitë tjera të reflektojnë.
Sa i përket propozimit të LDK’së, Haxhiu tha se është injorim i vullnetit të qytetarëve,
“Sa i përket qëndrimit të LDK’së, mendoj që është e papranueshme të injorohet vullneti i qytetarëve. Ka një tendencë të hapur që ky vullnet i popullit të injorohet. Kushdo që tenton me injoru këtë vullnet e ka gabim dhe fare nuk mirëkuptohet nga qytetarët”, shtoi Haxhiu.
Partitë sërish janë deklaruar kundër dhe nuk kanë propozuar anëtarë për Komision, e as nuk kanë marrë pjesë në votim. Në sallë ishin të pranishëm 113 deputetë.
“Kemi 56 deputetë që kanë dhënë votën pro, një kundër dhe asnjë abstenim”, ka deklaruar Dehari.
Pas dështimit të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari e ka ndërprerë seancën.
Kandidatja e VV’së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.
PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV’së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.
Përpjekja tjetër për konstituim vazhdon të premten, në 10:00.
Komente