Gjashtë raste të dhunës në familje, viktimë edhe një vajzë 6 vjeçare

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 8 Qershor, 2025

Komente


Gjashtë raste të dhunës në familje, viktimë edhe një vajzë 6 vjeçare

Gjashtë raste të dhunës në familje janë përfshirë në raportin 24 orësh të Policisë. Pesë prej tyre janë iniciuar si dhunë në familje, ndërsa një si sulm dhe armëmbajtje pa leje.

Në rajonin e Prishtinës janë raportuar 3 raste, dy në Prishtinë dhe një në Podujevë.

Në Prishtinë dy vëllezër dyshohet se janë rrahur mes vete.

“Prishtinë 06.06.2025 – 23:10. Janë intervistuar dy të dyshuar (vëllezër) meshkuj kosovarë-njëri i mitur, të cilët pas një mosmarrëveshje kishin përdorur dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit. Si pasojë e rrahjes i mituri ka marrë tretman mjekësor. Pas trajtimit të rastit me rekomandim të prokurorit kujdestar rasti procedohet në procedurë të rregullt.”


Po ashtu një grua dyshohet se ka tentuar ta godasë bashkëshortin e saj dhe ia ka mbyllur derën e banesës.

“Prishtinë 07.06.2025 – 17:00. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, për shkak se kishte tentuar ta godas viktimën mashkull kosovar-bashkëshortin e saj dhe ia kishte mbyllur derën e hyrjes së banesës. Sipas viktimës, bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore. Me urdhër të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.”

Në Podujevë një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij dhe vajzën 6 vjeçare.

“Podujevë 07.06.2025 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti kishte ushtuar dhunë fizike ndaj viktimave bashkëshortes dhe vajzës së tij 6-vjeçare. Si pasojë e dhunës viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”

Në Gjilan një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës dhe motrës së tij.

“DHUNË NË FAMILJE- Gjilan 07.06.2025 – 16:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj nënës dhe motrës së tij. Sipas viktimave i dyshuari është recidivist i rasteve të dhunës në familje pasi është përdorues i narkotikëve dhe shumicën e kohës është i dehur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.”

Ndërsa në Suharekë një burrë është arrestuar pasi e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Atij i janë gjetur një armë gjysmëautomatike dhe një pistoletë.

“SULM /ARMËMBAJTJE PA LEJE- Suharekë 07.06.2025 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për arsye se i njëjti kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një armë gjysmë-automatike dhe një pistoletë. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

Një burrë tjetër është arrestuar në Klinë, pasi dyshohet se në gjendje të dehur u ka shkaktuar dhunë anëtarëve të familjes.

“DHUNË NË FAMILJE- Klinë 07.06.2025 – 23:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti në gjendje të dehur ka shkaktuar dhunë në anëtarët e familjes. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë në familje edhe më herët, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj