Falja e të dënuares nga presidentja, Donika Kadaj: Akt human dhe simbolik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore, ka nënshkruar sonte dekretin me të cilin të dënuarës Arza Cakolli, për shkaqe humanitare, i është falur pjesa e mbetur e dënimit, pas shqyrtimit të propozimit nga Komisioni për Falje dhe në përputhje me procedurat ligjore.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se vendimi është marrë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, ngase e dënuara ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjen e saj.
E lidhur me këtë ka reaguar dhe këshilltarja e Vjosa Osmanit, Donika Kadaj. Kadaj ka thënë se ky është një akt human dhe simbolik, i cili reflekton përkushtimin e saj për drejtësinë, duke marrë parasysh rrethanat e veçanta të rastit.
“Presidentja ka ushtruar të drejtën e faljes për një nënë të re, e cila ishte dënuar për një aksident, duke i mundësuar lirimin nga burgu bashkë me foshnjën e saj një muajshe. Ky akt human dhe simbolik reflekton përkushtimin e saj për drejtësinë me zemër, duke marrë parasysh rrethanat e veçanta të rastit dhe rëndësinë e mbështetjes për gratë në situata të vështira. Lirimi i saj është pritur me emocione të forta nga familjarët dhe shoqëria, duke sjellë shpresë për një fillim të ri”, ka thënë Kadaj.
Komente