Ekzekutivi në Ferizaj planifikon 70 mijë euro për dëmet në bujqësi për 2025-n
-1742998388771.jpg)
Ekzekutivi i Komunës së Ferizajt ka ndarë gjithsejtë 70 mijë euro për vitin 2025 për t’i përkrahur fermerët të cilët mund të pësojnë dëme të ndryshme nga fatkeqësitë natyrore. Kjo metodë ishte planifikuar edhe në vitin e kaluar kur komuna i pati përkrahur fermerët me 50 mijë euro për dëme të tilla.
Sipas zyrtarëve komunal, niveli qendror nuk i ka shqyrtuar kërkesat e fermerëve për kompensim të dëmeve materiale nga fatkeqësitë natyrore, andaj janë obliguar që të gjejnë mundësi buxhetore nga buxheti vetjak i komunës.
Burim Bajrami, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se mbështetja e fermerëve që mund të pësojnë dëme nga fatkeqësitë natyrore është e domosdoshme. Sipas tij, në të kaluarën ka pasur raste kur fermerët kanë falimentuar pasi që vërshimet dhe të reshurat e shiut dhe breshërit ua kanë dëmtuar të gjitha kulturat bujqësore, ndërkaq institucionet publike nuk e kanë pasur mundësinë e përkrahjes.
“Bujqit në përgjithësi ballafaqohen me dëme që u shkaktohen nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore si nga reshjet e shiut, breshëri, vërshimet, përmbytjet dhe nga fatkeqësitë tjera si nga zjarri, ngordhjet e kafshëve të trasha dhe të imëta, demet në bletishte etj. Meqë shumica dërmuese e bujqve nuk i kanë te siguruar kulturat bujqësore dhe bagëtitë si (lopë,dele,dhi etj) ,drejtoria për Bujqësi në bazë të mundësive të saj buxhetore për vitin 2025 ka ndarë një buxhet në vlerë prej 70 mijë eurove për kompensimin e pjesërishëm të këtyre dëmeve. Kompensimi do të bëhet në bazë të vlerësimit profesional të komisionit të krijuar nga ana e Drejtorisë për Bujqësi”, ka thënë Bajrami.
Komente