Ekskluzive: Dy të dyshuar për plagosjen në Ferizaj përfundojnë në “Stop List”, Zvicra konfirmon adresat

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 14 Prill, 2025

Komente


Ekskluzive: Dy të dyshuar për plagosjen në Ferizaj përfundojnë në “Stop List”, Zvicra konfirmon adresat

Mbrëmjen e së hënës, më 26 gusht 2024, në fshatin Greme të Ferizajt, ndodhi një incident i rëndë me armë zjarri, ku u plagos 37-vjeçari Bujar Berisha.


Ngjarja ndodhi përpara shtëpisë së viktimës, në momentin kur ai ndodhej së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij të mitur.

4 ditë më vonë, më 30 gusht 2024, Policia Rajonale në Ferizaj kishte lëshuar urdhërarrest për të dyshuarit duke i shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”. Kërkesa u bë me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe përfshinte edhe publikimin e fotografive të personave në kërkim.



Të dyshuarit për këtë rast janë identifikuar dhe bëhet fjalë për Brikend (Ismet) Zogaj dhe Blenard (Ismet) Zogaj, të dy nga qyteti i Pejës.

IndeksOnline ka mësuar se të dy vëllëzërit Zogaj janë arratisur drejt Zvicrës. Ndërsa po të njëjtat burime kanë bërë të ditur se Brikendi posedon edhe lejeqëndrim të rregullt në këtë shtet.

Rasti për IndeksOnline është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, ku njoftuan se ata janë futur në “Stop List”, ndërsa është informuar edhe Zyra Ndërlidhëse ILECU, e cila ka konfirmuar adresat e tyre në Zvicër.

“Lidhur me rastin “Vrasje e mbetur në tentativë” që ka ndodhur në fshatin Greme të Ferizajt, janë identifikuar si të dyshuar B. Z dhe B. Z nga Peja. Pas kryerjes së veprës penale, ata janë arratisur në Zvicër, ku njëri ka lejeqëndrim të rregullt.

Të dyshuarit janë futur në “Stop List” dhe është njoftuar zyra ndërlidhëse ILECU, e cila ka konfirmuar adresat e tyre në Zvicër. Jemi në pritje të informatave shtesë nga autoritetet ndërkombëtare”, ka njoftuar Policia për IndeksOnline.

Lënda tashmë është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, e cila po vazhdon me hetimet dhe procedurat përkatëse.

Kujtojmë se viktima Bujar Berisha i’u mbijetoi plagëve, duke marrë trajtim spitalor në Qendren Klinike Universitare të Kosovës.

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj