Çështja e të zhdukurve, Andin Hoti kërkon që BE-ja ta kushtëzojë Serbinë

Qasja në informata të klasifikuara në arkivat e policisë, ushtrisë dhe inteligjencës serbe, krahas nisjes së gërmimeve në Batajnicë dhe në Kozhle në territorin e Serbisë, janë kërkesa në të cilat këmbëngul kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.
Këto dhe çështje të tjera, Hoti tha se do t’i diskutojë në takim me Përfaqësuesin e Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, javën e ardhshme në Prishtinë.
Pasi theksoi se përfaqësuesit e kaluar të BE-së në procesin e dialogut “nuk e kishin në fokus dhe prioritet këtë temë aq sa nevojitet”, ai kërkoi që lehtësuesit e rinj të jenë më të prerë.
“Nëse z. Sorensen dhe znj. Kallas vërtetë do ta kenë vërtetë me rëndësi, me prioritet dhe do ta trajtojnë si çështje humane çështjen e personave të zhdukur. Kjo nënkupton që Serbia nuk mjaftohet me ledhatime, që Serbia nuk mjaftohet më me ato presionet e buta e gati hiç presione ndaj saj, tash e katër vjet, prej 2021 prej kur jemi në Bruksel. Por, Serbia duhet të kushtëzohet”, ka thënë Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel, nën kryesimin e BE-së, i paraparë të mbahej më 15 Janar, kishte dështuar si pasojë e bojkotit nga pala serbe – e cila, dy javë më vonë, bllokoi edhe nën-grupet punuese të ndërmjetësuara nga Kryqi i Kuq.
Derisa sipas Termave të Referencës në gjashtë muajt e parë parashihen takime të rregullta, çdo muaj, katër muaj nga dakordimi në Bruksel, emisari Sorensen synon caktimin e takimit të parë të Komisionit të Përbashkët.
Komente