Arrestohen dy persona për grabitje të armatosur në Ferizaj

Policia e Kosovës gjatë ditës ka arrestuar dy persona të dyshuar për grabitje të armatosur që ka ndodhur në një market në rrugën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, të hënën pasdite rreth orës 18:25 minuta.
Sipas deklaratës së punëtores së marketit dhe pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armës, kanë marrë rreth një mijë euro dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“Falë një pune intensive hetimore në terren, hetuesit rajonalë kanë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuarit: I.D, 35 vjeç dhe M.Q, 27 vjeç. Me urdhër të gjykatësit, është kryer bastisja e banesës së tyre, ku janë gjetur prova që lidhen me rastin. Pas intervistimit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit, në pritje të procedurave të mëtejshme hetimore”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas komunikatës, Policia e Rajonit të Ferizajt mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e veprimeve kriminale.
Komente