Java e Limajt: E trazoi skenën paszgjedhore dhe e nisi i pari lojën politike për qeveri

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 23 Shkurt, 2025

Komente


Java e Limajt: E trazoi skenën paszgjedhore dhe e nisi i pari lojën politike për qeveri

Pasi u sigurua se i ka tre deputetë – e rrugës për katër, nëse votat e diasporës dhe ato me kusht i dalin në favor – Fatmir Limaj ndërroi krejt lojën dhe diskursin në skenën kosovare paszgjedhore.


Fatmir Limaj, kryetari i Nisma-s, është rrugës për t’u kthyer në Kuvend të Kosovës pas katër vitesh jashtë jetës parlamentare – dhe këtë e siguroi falë një koalicioni parazgjedhor me AAK-në e Ramush Haradinajt.

Kur numrat i luajtën mirë Limajt, ky i fundit në “Debat Plus” duke u thirrur në “interes nacional” nuk e përjashtoi as Vetëvendosjen – duke bërë deklarata ambige, për shumëkënd të qarta.

Limaj, dikur në luftë për prag, tash u shndërrua në ‘pragun’ edhe të Vetëvendosjes dhe të opozitës për të ndërtuar qeveri.

“Kusht t’më fton në tavolinë, unë shkoj ulna – për tema nacionale. Çka po të vynë një qeveri jo funksionale, kurrë. Nuk hy në një qeveri jofunksionale. As nga opozita nuk e përjashtojë që ulem“, tha Fatmir Limaj.

Me këto fjalë shënoi dy shtigje të reja – për çka komentatorë të shumtë politikë thanë se Limaj peshoi pazar të madh në të dyja palët: për pushtetin dhe opozitën.

Limaj u kujdes të saktësojë se NISMA dhe AAK “janë dy parti të ndryshme, të ndara” – çka sinjalizonte se vendimet se ku do të përkasë politikisht i takojnë autonomisht atij dhe jo bllanko e me automatizëm në atë çka ishte pagëzuar për koalicion parazgjedhor.

Ramush Haradiaj, udhëheqësi i këtij koalicioni, ditë para kësaj intervisteje të Fatmir Limajt, kishte deklaruar në “Pressing” të T7, se assesi nuk hyjnë me Vetëvendosjen, madje edhe në skenare hipotetike kur Albin Kurti do t’ua jepte edhe kryeministrin.

Haradinaj pandehte se ky ishte qëndrimi edhe i partnerëve të vet të koalicionit.

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj