Disa fermerë në Shtime ankohen se pesticidet ua dëmtuan mbi 20 hektar me kulturën e grurit

Disa fermerë në disa lokalitete të komunës së Shtimes po ankohen se sivjet u ka dështuar zhvillimi i kulturës së grurit pasi që pretendojnë se një barnatore bujqësore në këtë qytezë ua kishte shitur pesticidet e prishura. Deri në 20 hektarë është dëmi i cili u është shkaktuar atyre nga ky preparat të cilin e kishin blerë për t’i larguar barishtet, por ai kishte vepruar në anën e kundër duke ua dëmtuar grurin.
Fermerët janë ankuar se shitësi i barnatores bujqësore nuk ka dashur të bashkëbisedon për të gjetur një zgjidhje, andaj kanë paralajmëruar padi në gjykatë.
Skender Azizi fermer nga fshati Davidoc ka thënë për Telegrafin se pesticidet të cilat i ka blerë në një barnatore bujqësore në Shtime ua kishte dëmtuar mbi 5 hektar të kulturës së grurit. Ai dyshon se preparati ishte i prishur dhe e ka dëmtuar kulturën e grurit në vend se t’i dëmtonte barishtet e panevojshme.
“Jemi shumë të dëmtuar me këto pesticide të cilat i kemi blerë në një barnatore bujqësore në Shtime. Personalisht jam dëmtuar me 5 hektar, kurse sipas ankesave të fermerëve të tjerë ky dëm arrin deri në 20 hektar. Ka qenë koha që ne t’i spërkatim tokat bujqësore me kulturën e grurit por këto pesticide e kanë dëmtuar grurin dhe jemi shumë të shqetësuar. Kemi biseduar me pronarin e barnatores bujqësore nga i cili i kemi blerë këto pesticide, por ai nuk ka dashur të merret me hallet tona. Qëllimi i tij kishte qenë vetëm që t’i shes ato dhe mos të garanton për cilësi”, është ankuar Azizi.
Komente