Shtyhet gjykimi ndaj dy të akuzuarve për korrupsion

Info Ferizaj Info Ferizaj Postuar: 23 Janar, 2025

Komente


Shtyhet gjykimi ndaj dy të akuzuarve për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të enjte ka dështuar gjykimi ndaj zyrtarit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Samir Smajli dhe biznesmenit Behxhet Bicai, të cilët po akuzohen për korrupsion.

Shtyrja e seancës është bërë pasi mbrojtësi i të akuzuarit Smajli, avokati Besnik Berisha përmes emailit ka kërkuar shterjen e seancës me arsyetimin se i mbrojturi i tij e ka lajmëruar se nuk mund të prezantojë në seancën e sotme për arsye shëndetësore, ku në email i ka bashkangjitur edhe raportet mjekësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku, ndërpreu seancën dhe të njëjtën e caktoi për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 qershor 2020, i akuzuari Samir Smajli, në cilësinë e inspektorit tatimor në ATK, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, në vitin 2019, në një lokal në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, është takuar me të akuzuarin Behxhet Bici, drejtorin e agjensionit turistik “Bici – Com”, nga i cili ka kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 7,000 euro.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se, i akuzuari Smajli ka kërkuar shumën e lartcekur me qëllim që të ndihmojë pronarin e kompanisë “Bici” rreth rimbursimit të mjeteve prej 166.000, e cila kërkesë paraprakisht ishte refuzuar nga ATK dhe duke i thënë se kërkesa e tij për rimbursim do t’i aprovohet.

Për këto veprime, Smajli akuzohet se ka kryer veprën penale, “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërsa, Behxhet Bici akuzohet për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, për të njëjtën gjendje faktike të përshkruar në dispozitivin e parë.

Info Ferizaj
Autor

Info Ferizaj


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj