SBAShK-u paralajmëron protestë më 4 dhjetor, punëtorët e arsimit të pakënaqur me Qeverinë

Më katër dhjetor, punëtorët e arsimit do të protestojnë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Rrahman Jasharaj.
Në një intervistë për EO, Jasharaj ka deklaruar se kjo protestë vjen pas dështimit të negociatave për kontratën kolektive, ndërsa theksin e kritikës e vë ndaj Ministrisë së Arsimit.
“Ajo që dihet tani më është se po më 4 dhjetor do të ketë protestë edhe në këtë protestë kemi ftuar vetëm kryetarët e Shoqatave Sindikale, kryesitë pastaj udhëheqësit nivel komunal të universiteteve dhe kryesinë qendrore, por presim që të jetë një numër i madh ngase kemi shumë shoqata dhe besoj do të kalohet numri prej një mijë e më shumë dhe kjo protestë i adresohet më shumë ministrisë së Arsimit nga se zonja Nagavci, edhe në të kaluarën kishte qasje të gabuar ndaj shoqatës kolektive dhe tani kur ligji i punës obligon të dy palët që të negociojnë kontratën e re”, ka thënë Jasharaj.
Ai e cilësoi këtë si një hap të gabuar nga ministrja Nagavci dhe Qeveria Kurti, të cilët “kanë bërë gjithçka që sektori i arsimit të mos ketë një kontratë kolektive”.
Një tjetër kërkesë e sindikatës është ngritja e koeficienteve të pagës me 30 për qind, për punëtorët e arsimit.
“Çdo tri vite duhet negociuar, ne e kemi dorëzuar draft kontratën në prani të mediave që nga 2 tetori dhe kemi pritur që menjëherë zonja Nagavci do të reflektoj dhe do ta formojë edhe ajo një pjesë të komisionit për negocim këtë gjë nuk e ka bërë dhe shihet qartë që zonja Nagavci po bën ç’mos që sektori i Arsimit të mos ketë fare kontratë dhe kur ndodh kështu dhe kur është ky angazhim kështu atëherë duhet ta them se nuk ka vend në Ballkan dhe në Evropë e që pretendon të jetë demokratik e që nuk ka kontratë nga se kontrata është bazament i mbrojtjes së të drejtave punëtorëve po paraqet edhe obligimet të cilat ata duhet ti kryejnë”.
Komente